Janë të shumta rastet kur qytetarët marrin kredi për të blerë shtëpi, apo edhe për makina, telefona edhe gjëra të tjera.
Sipas BSH, në Tiranë njerëzit marrin më shumë hua se sa në qytetet e tjera të Shqipërisë.
Kjo pasi huaja për çdo banor në kryeqytet është 884 euro, gati tre herë më e lartë sesa qyteti i dytë që vjen më pas në listë, Durrësi.
Në total, në Tiranë individët kanë për të kthyer në banka 101 miliardë lekë hua, ose rreth 780 milionë euro, sipas të dhënave që i referohen tremujorit të parë të vitit 2018, shkruan Monitor. Rreth 70% të kësaj shume e zë huaja për blerje banesash (624 euro për frymë), që shënon një rritje të qëndrueshme vit pas viti.
Pallatet dhe apartamentet e reja që ofrohen vitet e fundit reflektojnë në shtimin e borxheve për qytetarët, të cilët duan një shtëpi të tyren.
Edhe kredia konsumatore në Tiranë është më e lartë se sa në qytetet e tjera, gati dyfishi i Durrësit, i cili vjen pas saj në listë.
Në të njëjtën listë radhiten të tretët vlonjatët, e më pas shkodranët. Pas tyre vijnë banorët e Lezhës, Fierit dhe Elbasanit, me përkatësisht 183, 152 dhe 152 euro për frymë. Të njohur si nikoqirë, korçarët nuk zhgënjejnë as në këtë rast. Ata janë më dorështrënguarit për të marrë një kredi, duke pasur nivelin më të ulët të huadhëniës për individë për frymë, prej 142 eurosh, që është 6 herë më e ulët sesa e banorëve të kryeqytetit.
Në total, në fund të tremujorit të parë 2018, stoku i kredive që individët kishin marrë në banka ishte 170 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.