Çështja e shpërthimit të Gërdecit është rikthyer sërish në vëmendjen e drejtësisë. Ajo u pushua në vitin 2009 nga Gjykata e Lartë, por me kërkesë të familjarëve hetimet pritet të rinisin nga SPAK.
Pikërisht në këtë çështje është përfshirë edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Avokati i familjarëve të viktimave të Gërdecit, Dorian Matlija deklaroi në emisionin “Breaking” se Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe mund të dënohet deri më 7 vjet burg, nëse faktohet se ka shkelje. Matlija tha se janë mbi 26 mijë faqe për tragjedinë e Gërdecit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për çelje të hetimit por për një hetim që nuk është kryer. Mediu u zgjodh deputet në 2009 dhe fitoi imunitet.
Sot SPAK njoftoi se nuk ka asnjë pengesë që të mos vijojë ky proces. Familjarët nuk duan hakmarrje apo dënim të ish-ministrit, por duan të bëhet drejtësi.”, tha avokati.
Sa rrezikon Mediu?
Avokati: Akuza e ngritur është për “shpërdorim detyre” por gjatë hetimit mund të ketë rrjedhë tjetër. Ka një maksimum dënimi deri në 7 vjet burg. Nuk bëhet fjalë për një dënim të jashtëzakonshëm, është ende herët. Mund të dalin gjëra të reja. Vendimi i SPAK është një hap i rëndësishëm. Megjithëse me vonesë, drejtësia duket se po merr rrugën e vet.
Keni prova të reja?
Avokati: Nga ana jonë nuk ka prova të reja, por situata të reja. Provat janë ato, thjesht duhen lexuar në mënyrën e duhur. Vetë familjarët do mundohen të bëjnë një paraqitje, një rezyme.
Çështja ndaj Mediut është pushuar me vendim të Gjykatës së Lartë më 14 shtator 2009, por SPAK thotë se “nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mësipërme, nga rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera lidhur me faktet e pretenduara, si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale”.
Në datën 15.03.2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e ç’militarizimit dhe ç’montimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.
Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.
Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.