Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme duken të vendosur për të mos toleruar askënd. Të hënën ishte Dita e Drejtësisë dhe të gjithë krerët e organeve të reja lëshuan mesazhe të forta duke ua bërë të qartë vartësve se nuk mund të ketë lëshime përballë krimit të organizuar, të korruptuarve dhe kujtdo tjetër që ka shkelur ligjin.
Sigurisht detyrën më të rëndë e kanë prokurorët e SPAK pasi ata hetojnë dy kategori të rrezikshme: Krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta. Kjo do të thotë se presioni ndaj tyre është shumë i lartë. Përveç akuzave dhe sulmeve në media, duket se ka dhe presione përmes telefonave dhe mënyrave të tjera për të qenë sa më të sigurt dhe për të shmangur ndikimin nga jashtë, mësohet se një pjesë e madhe e prokurorëve të SPAK janë në mbrojtje nga policia dhe Garda.
Duke qenë se ata kanë marrë në dorë dosje të bujshme, janë marrë masa që ata të kenë mbrojtje fizike. Një gjë e tillë është konfirmuar dhe nga vetë kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili në një intervistë e bëri të qartë se asgjë nuk i ndal prokurorët të bëjnë punën e tyre. “Aty ne jemi përzgjedhur të gjithë për t’i përballuar këto presione, kemi kushte shumë të mira pune dhe trajtim të mirë kështu që po e kryejmë aktivitetin tonë si normalisht pa asnjë problematikë.
Një pjesë e prokurorëve janë nën mbrojtje për shkak të rasteve që kanë proceduar ose janë duke proceduar. Megjithatë kjo nuk na pengon të vazhdojmë punën tonë”, tha Kraja në një intervistë televizive. Që kur u ngrit SPAK dihej se presioni do të ishte i madh, prandaj në ligj është vendosur që prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e posaçëm të jenë në monitorim.
Tabulatet telefonike të tyre do monitorohen pasi Byroja e Hetimit të jetë gati. Po ashtu edhe llogaritë bankare janë në monitorim për të shmangur çdo lloj korrupsioni. Ndërkohë mbrojtja e prokurove vjen në një kohë kur ata kanë në dorë shumë dosje të bujshme, si të krimit të organizuar ashtu edhe të korrupsionit politik.
Ngritja e BKH
SPAK ka pak më shumë se 1 muaj që është ngritur dhe ka dhënë sinjale se do kthehet drejtësia që kërkohet. Disa dosje të bujshme janë hapur, por ka dhe shumë të tjera që priten me interes. Një organ që do të ndihmojë shumë që të shkohet te dosjet e bujshme është padyshim Byroja Kombëtare e Hetimit.
Këtë javë 28 hetues të saj do të marrin zyrtarisht detyrën dhe më pas do të nisin një proces trajnimi. Sipas informacioneve deri në muajin korrik ata do të kalojnë në patronazhin e FBI, DEA-s amerikane dhe të Antimafies Italiane. Ata do të trajnohen si për të qëlluar me armë, ashtu dhe për teknikat e hetimit që nga grupet kriminale, bandat e drogës e deri të korrupsioni në nivele të larta.
Pra duket se sinjalet po jepen nga dita në ditë se do të shkojmë te dosjet e bujshme. Vetë kreu i SPAK, Arben Kraja ka qenë ai që ka dhënë detaje se Byroja e Hetimit brenda korrikut nis punën. “Vitin e kaluar ne kemi qenë të ngarkuar përveç punës së përditshme, por edhe me përzgjedhjen e Byrosë Kombëtare.
U përzgjodh drejtori, pastaj hetuesit. Kemi arritur tani grupin e parë ku këtë javë emërohet grupi i parë i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Janë 28 hetues të Byrosë, të cilët po vazhdojnë po trajnohen në FBI, në DEA, në Itali dhe nga autoritetet këtu në Shqipëri dhe besojnë se në fund të muajit korrik do të jenë efektivisht të gatshëm për të filluar detyrën”, tha ai në një intervistë televizive./Kliti Topalli