Shtohen sinjalet që vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve lokale. Në 30 qershor të vitit 2019, qytetarët shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit, duke votuar krerët e 61 bashkive në vend, ndërkohë që këto zgjedhje i fitoi Partia Socialiste, për shkak se opozita e drejtuar nga Partia Demokratike i bojkotoi ato.
Por kur kanë kaluar thuajse 2 vite nga këto zgjedhje, në vend vijon debati, pasi opozita i konsideron zgjedhjet lokale si ilegjitime. Mirëpo gazeta ka mësuar se kryeministri Edi Rama po përgatitet për zgjedhje vendore. Një gjë e tillë është bërë e ditur dy ditë më parë nga kryeministri Rama, i cili mblodhi në Pallatin e Brigadave deputetët e vjetër dhe të rinj të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, të cilëve pas porosive që iu dha publikisht, iu ndau edhe një sërë detyrash dhe objektivash që duhet të kenë kryefjalë të punës së tyre.
Rama përgatitet për zgjedhje vendore
Kështu, burime nga selia rozë i pohuan gazetës se në takimin me dyer të mbyllura që kryesocialisti Rama zhvilloi me deputetët socialistë, është kërkuar që ata të jenë vigjilentë dhe të mbajnë kontaktet me bazën dhe qytetarët, pasi duhet të përgatiten për zgjedhjet vendore.
Pak ditë më parë ai tha se është i gatshëm të diskutojë gjithçka me opozitën, por fakti që nis që tani mobilimi për zgjedhjet vendore kur duhen edhe 2 vite, tregon qartë se socialistë po marrin masat edhe për zgjedhje të parakohshme në pushtetin vendor. Madje, një gjë të tillë e përforcon shumë edhe ftesa që kryeministri Rama i ka drejtuar Partisë Demokratike, të cilën e fton të bashkëpunojë dhe të kërkojë çfarë të dojë, si dhe lëvizjet e fundit të ndjekura nga kreu i PD, Lulzim Basha.
Ky i fundit dje ka nisur nga qyteti bregdetar i Durrësit, takimet me strukturat dhe simpatizantët e Partisë Demokratike, duke lënë të nënkuptohet se edhe ai kërkon të mbajnë demokratët të karikuar, në mënyrë që të jenë gati për zgjedhje në çdo kohë. Pra, Rama po përgatitet për zgjedhje, pasi një gjë të tillë mund ta “bekojë” edhe me pretekstin, për t’i hapur rrugë bashkëqeverisjen mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, e cila kohët e fundit është trumbetuar shumë si skenar që pritet të ndodhë për të mirën e integrimit europian dhe Shqipërisë.
Në takimin me dyer të mbyllura me deputetët, Rama ka deklaruar se është gati të bashkëpunojë me PD dhe do të pranojë çfarëdo propozimi që vjen nga demokratët. Ai ka thënë se nuk do të ketë limite sepse ka ardhur koha për një frymë të re në politikë. Madje Rama ka thënë se PS i është borxhlie PD sepse LSI u katandis në 4 mandate edhe falë demokratëve.
Shkrirja e LSI, synim kryesor
Por përveç se mbajtjes së kontakteve me qytetarët dhe bazën socialiste, kryeministri Edi Rama vijon që të këtë si prioritet kryesor edhe shkrirjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim si parti politike. Para dhe gjata fushatës zgjedhore sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kryeministri Rama premtoi se shkrirja e LSI, sipas tij, është një mision që duhet të përmbyllet me sukses. Ndërkohë që gazeta ka mësuar se edhe në mbledhjen e dy ditëve më parë që zhvilloi me deputetët e rinj dhe të vjetër, Rama ka kërkuar që kryefjalë e socialistëve gjatë mandatit të tretë qeverisës është tretja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas informacioneve, mësohet se shefi i selisë rozë ka falënderuar deputetët që falë punës së tyre të fitonin zemrat e qytetarëve shqiptarë duke iu dhënë 47 mandate deputetësh, ndërsa gjithashtu i ka falënderuar ata që zbatuan porositë e tij, duke e lënë partinë e Kryemadhit me vetëm 4 mandate në zgjedhjet e 25 prilli. Megjithatë, prerë dhe qartë, mësohet se kryeministri Rama është shprehur se duhet të shkrihet Lëvizja Socialiste për Integrim dhe se objektivi i Partisë Socialiste është që ta lënë me zero mandate dhe zero bashki në zgjedhjet e ardhshme. Sa i takon shkarkimit të Metës Rama ka thënë se nuk ka kthim pas. Ai nuk përfaqëson më unitetin popullit, ndërsa po ashtu ka thënë se presidenti i ri do të jetë konsensual me PD.