Sali Berisha ka zgjedhur të mos marrë pjesë në mbledhjet e forumeve të Partisë Demokratike ku ai është anëtar.
Edhe pse të gjithë demokratët i kanë sytë te lideri historik i kësaj force politike që në 30 vite ka dirigjuar çdo zhvillim brenda saj, ai nuk është shfaqur në publik.
Në një kohë kur selia e PD-së gumëzhinte nga përplasjet, Berisha publikonte në rrjetin social Facebook mesazhet e qytetarit dixhital që sot gërshetoheshin mes memeve dhe se si një mi kishte hyrë në një ambjent spitalor në Turqi por që për të ishte në Lezhë.
E gjithë kjo skemë e ndjekur prej tij, synon të përcjellë mesazhin e një njeriu të shkëputur që nuk ka më asnjë rol apo fuqi vendimmarrëse në PD.
Ndërkohë e vërteta është ndryshe. Përveç se Berisha është në brendësi të tyre, ai ka zgjedhur të mos jetë dëshmitar i shkeljeve të Bashës.
Strategjia e kësaj here nuk ka ndonjë diferencë të theksuar me ato që kanë ngjarë në të shkuarën por këtë herë disi më e vështirë pasi hipoteza e “këshilltarëve mizerabël” u dogj në dështimin e 2017.