Kreu i Partisë Socialiste të Fierit, Petro Koçi ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të nëpunësve të administratës shtetërore.
Përmes një statusi në rrjetet sociale e teksa i kthen një përgjigje kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili nga qyteti i Fierit, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe mazhoranca socialiste se grabiti dhe bleu votat, zoti Koçi shprehet se PS do të korrte një rezultat akoma më të mirë se ai që mori në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, nëse sipas tij, administrata do të ofronte shërbim të mirë për qytetarët.
Prerë dhe qartë, deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste theksoi se shumë qytetarët edhe pse kanë dashur të vonin për PS-në, nuk e kanë bërë një gjë të tillë, pasi sipas tij, janë përballur me burokraci në zyrat e shtetit. Kështu që i ndodhur përpara kësaj situate, zv/ministri Koçi vë në dukje faktin se qytetarët janë të inatosur me nëpunësit shtetërorë, gjë që u reflektua edhe në 25 prill.
“Administrata. E vërteta është se PS nuk mori rezultat maksimal në zgjedhje pikërisht për shkak të administratës. Jo vetëm që shumë të zgjedhur në PS që janë pjesë e administratës ia futën gjumit në fushatë, por një pjesë e rëndësishme e administratës u kthye në kosto elektorale për PS. Me përtacinë, kapadaillëkun dhe pse jo korrupsionin në dhënien e shërbimeve për qytetarët. Këta,
Basha duhet t’i falënderojë për demotivimin e një pjesë të votuesve për të mbështetur PS. Shumë votues kur votojnë nuk kanë parasysh Ramën apo Bashën, por administratorë të punëve vendore, drejtorë apo nëpunës që ua kanë sjellë në majë të hundës”, shkruan ai. Më tej kreu i PS Fier, Petro Koçi shprehet se qytetarët shqiptarë votuan për Partinë Socialiste, pasi sipas tij, kjo është një parti që ofron siguri dhe zhvillim, ndërsa theksoi se kryedemokrati Basha duhet t’u jetë mirënjohës burokratëve të administratës që mori aq shumë vota si PD.
“Prandaj Basha duhet t’u jetë mirënjohës të pandershmëve të administratës. Zgjedhjet kësaj radhë ishin më të mirat. Mirënjohje teknologjisë se re ligjore dhe natyrisht administratës zgjedhore të çdo ngjyre partiake. Lulzim, ji i ndershëm me partinë që ta kanë dhuruar. Ti që s’ke fuqinë të ndryshosh PD-në, nuk do mundesh të votëbesohesh si ndryshues. Shqiptarët votojnë fuqinë e ndryshimit, Partinë Socialiste dhe atë që e fitoi PS nëpërmjet betejës, Edi Ramën”, nënvizoi kreu i PS Fier, Petro Koçi.