Kreu demokrat Lulzim Basha është përballur dje me kritikët më të ashpër të tij të momentit. Dje u mblodhën Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD, ku prezentë ishin Fatbardh Kadilli, Bujar Nishani dhe Arben Ristani, emra të cilët bëjnë fajtor Bashën për disfatën e 25 prillit dhe kërkojnë largimin e tij.
Të dyja mbledhjet janë shoqëruar me diskutime e debate, ku si Basha ashtu dhe rivalët e tij kanë mbajtur fjalën. Në orën 17.00 u mblodh Kryesia e PD, e cila mori vendimin për të shkuar në zgjedhje për kryetarin më 13 qershor. Në këtë mbledhje pati debate mes Bashës dhe Kadillit. Ka qenë Kadilli i cili i ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme kryedemokratit Lulzim “Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Je humbës i përsëritur prej defekteve personale.
Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd”, tha ai. Ndër të tjera, duke iu drejtuar liderit të PD Kadilli u shpreh se Basha nuk është më i nevojshëm për PD. Ai theksoi se përgjegjësia e humbjes në zgjedhje është vetëm e liderit demokrat dhe e askujt tjetër. “Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën. Jemi ekip më i mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer”, deklaroi ai.
Ndërkohë, pas akuzave të bëra nga Kadilli në drejtim të Bashës ky i fundit i është përgjigjur. Drejtuesi i demokratëve tha se shqiptarët e votuan ndryshimin dhe se e duan këtë ndryshim. Ai theksoi se nëse do të bashkohen të gjithë bashkë, në vend do të vij ndryshimi për të gjithë shqiptarët. “Kjo fushatë provoi se ne edhe propagandës së tyre mund ti bëjmë ballë, ne mundemi ta shkatërrojmë atë me zemër, me shpresë!
Dhe këtë ne e bëmë, shqiptarët dolën me gëzim në zemër dhe votuan ndryshimin në 25 prill. Ata dje e donin me gjithë shpirt ndryshimin! Ata e duan ndryshimin edhe më shumë sot! Ndaj të bashkuar ju ftoj ti prijmë forcën tonë betejës për ndryshimi për të gjithë demokratët dhe gjithë shqiptarët”, tha Basha.
Debatet në Këshill
Pas Kryesisë, u mblodh Këshilli Kombëtar, i cili votoi nismën për të mbajtur zgjedhje më 13 qershor. Aty më i ashpri ishte Bujar Nishani, i cili po ashtu kërkoi largimin e Bashës. “E vetmja alternativë është nisja e një projekti të ri politik! Kam kërkuar dhe përsëris më së pari Dorëheqjen e parevokueshme të Kryetarit të Partisë!
Dorëheqja e parevokueshme e kryetarit është akt i përgjegjësisë politike, është akt i maturimit politik, është akt civilizimi, është sakrificë personale për ti shërbyer interesit madhor të së ardhmes së partisë. Është akti që verifikon se interesi i Partisë është mbi interesin personal të cilitdo individ që është kryetar”, tha ai. Nishani kërkoi të nisë një proces reformimi, që nga krerët e degëve dhe deri te strukturat më të larta. “Kjo kërkon të hyjmë në një proces jo të lehtë, jo të shkurtër por të domosdoshëm reformimi.
Nevojitet menjëherë të ngrihet një komision i besueshëm, me integritet, me eksperiencë dhe përfshirës për të drejtuar e menaxhuar këtë proçes. Duke filluar me hapjen e analizës në bazën e partisë nga seksioni deri tek dega”, tha ai. Ndërkohë kritik ka qenë dhe Arben Ristani, i cili ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të Bashës, si mënyrën vetme për të shkuar drejt ringritjes.
Ndërkohë disa anëtarë të Këshillit kanë dalë në mbështetje të Bashës. Ndaj tij reagoi lideri demokrat Basha, i cili vijoi të këmbëngulë se PD pësoi rritje më 25 prill. Ai tregoi se si u rrit në 600 mijë vota, ndërsa akuzoi mazhorancën se i vodhi zgjedhjet. Nga ana tjetër Basha u ka kërkuar anëtarëve të zgjedhin nëse zgjedhjet ishin apo jo të vjedhur. Ai u shpreh se nëse për ta zgjedhjet ishin në rregull, ai është gati të dorëhiqet. Basha ka thënë se PD do të marrë mandatet në shtator dhe ai do të prezantojë një platformë që të mos lejohet më Rama të prekë votën. “Zgjidhni dhe dua tu shoh të gjithëve në sy.
Ose zgjedhjet janë të vjedhura dhe vazhdojmë në betejë, ose nëse për ju janë në rregull, atëherë unë jap dorëheqjen tani”, tha Basha. Sipas informacioneve në mbledhje ka pasur kritika edhe për aleancën me LSI e PDIU. Shumë anëtarë të Këshillit e kanë cilësuar të gabuar bashkëpunimin me LSI, ndërsa kanë kritikuar futjen e Idrizit dhe Mesila Dodës në lista të sigurta. Në fund Këshilli miratoi datën 13 qershor për të shkuar në zgjedhje për kryetarin.