Gjyqtarët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe që ende nuk kanë marrë një vendim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i kanë rrëmbyer buxhetit të shtetit 1,5 miliardë lekë të vjetra.
Sipas ligjit, emrat e shkarkuar në shkallën e parë pezullohen, por marrin 75 për qind të pagës derisa të kemi një vendim të formës së prerë nga KPA. Deri më tani janë shkarkuar 75 gjyqtarë dhe vetëm për enrat e tyre kanë shkuar 1.5 miliardë lekë. Të dhënat janë bërë publike në raportin vjetër të KLGJ për vitin 2020. KLGJ këtë e ka parë si shqetësim, duke theksuar se vetingu ndër të tjera ka sjellë edhe disa boshllëqe në organet e drejtësisë.
KLGJ sqaron se këto procese në pritje kanë shkarkuar një kosto të madhe që mund të përdorej për të tjera shpenzime. Prandaj, Këshilli ngre alarmin, duke përllogaritur se vetëm 25 prej tyre kanë marrë 30 milionë lekë pa kryer funksion si gjyqtarë në 2020, ndërsa me të 75 gjyqtarët që janë në pritje të vendimit shpenzimet për punë të pakryer shkojnë në 1.2 milionë euro.
“Për vitin 2020 janë larguar përfundimisht 13 gjyqtarë si pasojë e shkarkimit me vendim të formës së prerë të organeve të rivlerësimit kalimtar. Ndërkohë me vendim të KPK-së janë shkarkuar 25 gjyqtarë, të cilët presin zhvillimin e procesit në KPA, duke ruajtur statusin e gjyqtarit për shkak të pezullimit si dhe duke përfituar sipas ligjit edhe 75% të pagës.
Efekti financiar i të cilëve përllogaritet në masën 30,319,462 lekë. Nëse do i referohemi që nga fillimi i procesit të rivlerësimit kalimtar deri në dhjetor 2020, ku janë pezulluar gjithsej 75 gjyqtarë , efekti financiar i përllogaritur për të gjithë periudhën, rezulton në masën 155,150,486 lekë. Ky është tregues se vetingu krahas efektit në boshatisjen e sistemit gjyqësor shoqërohet me kosto financiare relativisht të lartë për buxhetit gjyqësor”, evidenton KLGJ.
Ndër të tjera në raport thuhet se, është shqetësues fakti që për shkak të pezullimeve apo shkarkimeve gjykatat kanë punuar me kapacitet të reduktuar, ndërsa niveli i shpenzimeve ka qenë më i lartë se në vitet e tjera dhe pjesa më e madhe për punë që nuk është bërë.
Pasoja të tjera financiare
Këshilli i Lartë Gjyqësor tregon në këtë raport se pagesat për gjyqtarët e pezulluar, ka krijuar probleme fondesh mes institucioneve sepse, në ato institucione ku ka pasur më shumë të pezulluar shpenzimet kanë qenë më të shumta, sepse punën që ata nuk e kryenin e kanë realizuar të tjerë gjyqtarë, të cilët kanë marrë gjithashtu një shtesë pagese.
Në këto kushte ministria përgjegjëse është detyruar që fondet e njërit institucion t’i dërgojë në një tjetër gjykatë, ose shpenzimet për personelin janë përdorur për pagat e gjyqtarëve në proces vetingu. “Deri në fund të vitit 2020, në sistemin gjyqësor ka pasur në total 200 mungesa, përkatësisht 49 gjyqtarë dhe 151 personel administrativ.
Duke qenë se numri i gjyqtarëve, pagat e të cilëve kanë një efekt financiar më të madh në buxhet, është në ndryshim të vazhdueshëm për shkak të dorëheqjeve, pezullimeve dhe procesit të veting-ut, njësia e buxhetit në KLGJ, ka monitoruar ecurinë e realizimit të fondeve buxhetore në këtë zë, për përdorimin sa më eficent të tyre. Si rrjedhojë, janë rialokuar fondet në shpenzime personeli nga njëra gjykatë në tjetrën, apo janë transferuar fondet nga shpenzime personeli në ato operative, sipas nevojave të paraqitura gjatë vitit ushtrimor, me miratim të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, sqarohet në raport.
Sipas KLGJ, shihet si problem edhe fakti që për të paguar gjyqtarët e pezulluar ne pritje të vendimit nga KPA, organet gjyqësore janë detyruar që fondin e lënë në dispozicion për infrastrukturën e sallave dhe ambienteve në tërësi ta përdorin për këta 75 subjekte në proces vetingu. Prandaj KLGJ ka kërkuar që për 2021 të rishikohen objektivat që përcaktojnë drejtimin mbi të cilin do përdoren fondet e lëna në dispozicion për institucionet e drejtësisë.