Nisin përplasjet mes LSI dhe PD. Zgjedhjet e 25 prillit shkaktuan disfatë të thellë për partinë e presidentit Ilir Meta, e cila u katandis në 4 mandate.
Por ajo që vihet re është se pas 25 prillit raportet mes PD dhe LSI kanë ndryshuar totalisht. Nuk ka më takime e biseda, po përkundrazi kanë nisur sulmet dhe akuzat. Ditët e fundit, media pranë presidentit Ilir Meta kanë nisur një sulm frontal ndaj PD dhe sidomos liderit demokrat Basha.
Një gazetë që njihet si më e afërta me presidentin, përmes një sërë shkrimesh e ka treguar hapur se ka nisur një konflikt i thellë mes Bashës dhe Metës. Lideri demokrat nuk ka folur fare për nismën e PS për shkarkimin e Metës, ndërsa në fushë është hedhur dhe ideja e bashkëqeverisjes mes PS dhe PD. Media në fjalë ditën e djeshme ka sulmuar hapur Bashën, duke bërë atë fajtor për disfatën e LSI në zgjedhje, ndërsa i kërkohet se çfarë do të ndodhë tani.
Madje shkohet deri aty sa flitet për protesta për të rrëzuar qeverinë apo dhe për të gjetur një lider tjetër opozitar. Meta pak kohë më parë e tha se do japë dorëheqjen dhe do marrë frenat e opozitës, por më 26 prill ndryshoi kurs. Megjithatë ajo që vihet re është se ka nisur një përplasje e fortë PD-LSI. Partia e presidentit dyshon për një puç nga PD, ndërsa kanë nisur sulme si për djegien e mandateve ashtu dhe për braktisjen e zgjedhjeve vendore. Elementi tjetër që bie në sy është se presidenti nuk e pranon një bashkëqeverisje mes PS dhe PD.
Mediat në fjalë flasin për një pakt për të shkuar në zgjedhje vendore vitin që vjen dhe se PD do të marrë disa bashki të mëdha. Por nga ana tjetër nuk ndalen sulmet dhe goditjet ndaj demokratëve nëse pranojnë ofertën e Ramës. Madje këto media po i trumbetojnë largimit të Bashës, duke nxjerrë dhe emrat që mund ta zëvendësojnë. Pra duket se “miqësia” Basha-Meta është thyer dhe tani do të kemi një divorc mes PD dhe LSI.
Disfata e LSI dhe roli i PS-PD
Partia më humbur në zgjedhjet e 25 prillit ishte padyshim LSI. Edhe pse presidenti fliste për mbi 90 mandate nga opozita, më 26 prill doli se PS është forcë e parë, PD ka shumë rritje, ndërsa LSI ra nga 19 mandate, në 4 deputetë. Nëse analizojmë zhvillimet, duket se si PD ashtu dhe PS e kanë pasur në interes të tyre që LSI të shkrihej. Djegia e mandateve nga PD ishte vërtet një lëvizje strategjike.
Pas protestave Basha doli një ditë të diel në konferencë për mediat dhe deklaroi se PD do të djegë mandatet. LSI i shkoi nga mbrapa. Akti më i ashpër ishte bojkoti i zgjedhjeve vendore në 2019. Edhe pse Ilir Meta u mundua t’i shtynte për në vjeshtë, ato u mbajtën dhe opozita humbi të gjitha bashkitë. Këto dy lëvizje duket qartë se goditën LSI dhe aspak PD.
Elektorati i LSI është një elektorat që lëviz pas interesit dhe pas parasë. Duke qenë se LSI nuk kishte më asnjë lloj pushteti, detyrimisht dhe elektorati nuk do të qëndronte me të, por do të shkonte atje ku kishte interes. Plot 120 mijë persona ikën nga LSI pikërisht për shkak të këtij elementi. Elementi tjetër që treguan zgjedhjet është se pjesa dërrmuese e militantëve të LSI nuk shkuan me PS, por kaluan me PD. Por gjatë vitit që lamë pas pati disa zhvillime që shtuan kostot për LSI.
Mazhoranca ndryshoi Kodin Zgjedhor duke futur listat e hapura, por duke hequr koalicionet e zakonshme. Në Kod u vendos që e vetmja mënyrë ishte të shkohej me listë të përbashkët. PD e refuzoi një koalicion me LSI dhe të dyja palët dolën ndarazi. Kjo skemë sigurisht që solli humbje të disa deputetëve, si në Berat, Durrës, Vlorë, etj. Pra ajo që bie në sy është se ka një lloj koordinimi mes PS dhe PD kundër LSI. Presidenti duket se tani e ka kuptuar dhe ka hedhur në sulm mediat pranë tij. Ndërkohë gazeta ka mësuar se dhe vetë demokratët nuk e duan më LSI dhe me shumë gjasë nuk do ketë më bashkëpunim mes tyre.