Analisti Andi Bushati thotë se data e zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike u afrua sepse duhej të minohej procesi i vërtetë në PD dhe Basha të siguronte pa problem vazhdimësinë e tij.
Ai e krahasoi sjelljen e z. Basha në krye të partisë të ngjashëm me modelin e Edi Ramës.
Andi Bushati theksoi se, Lulzim Basha është kthyer në një satrap në PD duke krijuar modelin e sundimtarit që nuk jep llogari por thjesht kap karrigen e kryetarit.
“Ajo që po bën Basha me PD është ajo që Rama po bën me Shqipërinë, garë pa respektuar rregullat e lojës, garë pa respektuar kundërshtarët dhe pa pasur një proces ku të gjitha palët të dëgjohen.
Pas një disfate tronditëse si ajo që pësoi PD, gjëja e parë që bëhet pas asaj që jam dakord që ka pasur një vjedhje masive, duhet të kishte një debat se sa në gjendje ishte PD që të mos e lejonte këtë vjedhje.
Regjimi nuk rrëzohet me të njëjtin model dhe ky është dështimi më i madh i PD që është më i madh se sa dështimi më 25 prill”, deklaroi analisti.
Për analistin Baton Haxhiu brenda Partisë Demokratike mungon procesi demokratik dhe në këtë situatë Lulzim Basha e ka shumë të lehtë që të mbetet sërish kryetar i partisë. Në një situatë normale, ai tha se z. Basha do të duhej të largohej.
“Nuk ka sistem demokratik brenda PD dhe ka një model të kaluar përpara, ku një njeri ka qenë kryetar për një kohë të gjatë.
Ai dha dorëheqje por nuk krijoi sistem demokratik, madje e emëroi pasardhësin. Kushdo që do të duhet të humbte, duhet të shkonte”, u shpreh analisti.
Me ironi, Andi Bushati replikoi duke thënë se Baton Haxhiu është “i vetmi njeri në Shqipëri që thotë që edhe pse Basha humbi me zgjedhje të ndershme, duhet të qëndrojë kryetar”.
“Edhe idioti më i madh në Shqipëri, a e nxjerr dot më poshtë se e dyta PD në Shqipëri siç e ka nxjerr Basha katër herë.
Kjo ishte për batutë, por nuk duhet të bësh alibinë e sjelljes demokratike. Njerëzit i nxjerr procesi demokratik”, u shpreh z. Bushati.
Në fund të debatit, analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu ranë dakord se Basha do të duhet të largohet nga drejtimi i Partisë Demokratike.