Analisti Frrok Çupi ditën e djeshme ka komentuar çështjen e dekoratave të dhëna nga presidenti Ilir Meta. Ai u shpreh se sipas llogarive presidenti ka dhënë më shumë se dy dekorata në ditë ku në një farë mënyre u ka hequr vlerën atyre.
Çupi tha se ka një korrupsion shumë të madh politik pasi dekoratat e dhëna ndaj 520 personave sipas Metës mund të shihet si ndikim për të votuar LSI.
Sipas Çupit dekoratat janë duke u përdorur nga Meta si influencë politike për të mos thënë shitblerje apo pazare. “Sipas llogarive Meta ka dhënë më shumë se dy dekorata në ditë. E para shpërdorimi i sistemit të vlerës. Kryetari i Shtetit nuk mund të japë kaq shumë dekorata sepse zhvlerësohet.
Aludohet se këtu ka një korrupsion shumë të madh, të paktën politik. 520 dekorata i thonë 520 persona në një vit, i bie 520 fise nëpër Shqipëri që marrin dekorata. 520 fise në Shqipëri sipas mentalitetit të Ilir Metës do të votonin për LSI. Këto janë influenca. Nuk po i jap vetes të drejtën të them që është shitblerje e thjeshtë, pazare, por janë influenca politike”, u shpreh Çupi.
I pyetur se çfarë është kjo mani për të dekoruar njerëzit, Çupi u shpreh se çështja e dekoratave është shumë serioze dhe bëhet nga një president serioz. Ndërsa për akuzat e presidentit se Çupi është një agjent i Serbisë, analisti tha se nuk ka ndodhur në asnjë shtet tjetër serioz që presidenti i vendit vetë të akuzojë dikë se është i infiltruar apo agjent i një agjencie tjetër. Sipas tij Meta duhet të japë llogari për të gjitha këto. “Çështja e dekorimeve është shumë serioze.
Unë e thash atë çështjen e dekoratës, por realisht kështu bën një president serioz. Nuk ka ndodhur që në shtetet serioze të akuzojë vetë presidenti dikë që mund të jetë i infiltruar, agjent i një agjencie tjetër dhe duhet të japë llogari”, tha Çupi.
Kujtojmë se edhe më parë Çupi është shprehur se presidenti e ka goditur fort pjesën që mban të gjallë aktivitetin ekzekutiv, jetën e njerëzve, sigurinë, kufirin, pandeminë, tërmetin, ushqimin, etj. dhe ai i thotë bandë, i thotë grup kriminal. Sipas tij nuk duhet harruar se kemi një president, i cili në pikun e influencave të aleatëve të NATO-s dhe SHBA-ve godet SHBA-të, godet aleatët e kombit dhe të shtetit dhe bën thirrje për vrasje makabre.