Prokuroria e Posaçme ka bërë një lëvizje tepër të guximshme me rihapjen e hetimeve për vrasjen e bankierit Artan Santo. Bëhet fjalë për një nga vrasjet më të forta në Tiranë, pasi dyshohet se mund të jenë të përfshirë individë me lidhje të forta në politikë. Por si u shkua te rihapja e dosjes?
Sipas informacioneve, ka qenë policia ajo e cila ka bërë punën më të madhe, duke iniciuar rikthimin e kësaj dosje të bujshme. Pas vrasjes së tij, dosja shkoi në prokurori, por u kthye disa herë pas nga kjo e fundit sepse asnjë provë dhe e dhënë nuk të çonte te autorët.
U mbajtën në përgjim shumë njerëz, u sekuestruan disa skafandra motori dhe po ashtu u shqyrtuan me dhjetëra pamje filmike dhe u pyetën shumë dëshmitarë, por sërish ishte e vështirë të drejtohej gishti te një individ duke e fajësuar për vrasje. Pati dy emra të dyshuar, por asnjëherë nuk u vërtetua. Mirëpo në fillim të këtij viti, policia ka pasur indicie për të rihapur çështjen.
Bëhet fjalë për disa efektivë të policisë kriminale, të cilët kanë rihapur dosjen duke futur aty prova të reja dhe duke krijuar një pistë të re, e cila ndoshta do të çojë prokurorinë te autorët. Efektivët në fjalë, kanë siguruar të dhëna se kemi të bëjmë me përfshirjen e shumë individëve në këtë mes dhe për këtë arsye dosja u transferua nga Prokuroria e Tiranës te Prokuroria e Posaçme.
Interesante është se në këtë prokurori është prokurorja Elida Kaçkini, e cila dikur kishte dosjen e vrasjes së Santos kur ishte në Prokurorinë e Tiranës. Nuk dihet se çfarë provash ka siguruar policia në bashkëpunim me prokurorinë, por fakti që dosja kaloi te SPAK me argumentin se kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal, dyshohet se ka shumë të dhëna që tregojnë disa individë të përfshirë në këtë atentat mafioz.
Kush e donte të vdekur Santon?
Kjo pyetje ka 7 vite që shtrohet në çdo përvjetor të bankierit Santo. Kush ishin ata që e donin të vrarë Santon? Prokuroria hetoi në 5 pista të ndryshme, që nga aktivitetet e atij vetë, aktivitetet e bankës dhe elemente të tjerë, por fakti që për 7 vite hetimet nuk ishin të plota, do të thotë se ndoshta fshihen njerëz me pushtet. Santo në atë kohë ishte aksioner mediatik dhe drejtor banke.
Ata që e njihnin shpreheshin se Santo kishte ndihmuar shumë persona, që nga biznesmenë e deri te politikanë të ndryshëm. Kur ai u nda nga jeta nuk ngeli politikan pa reaguar. Të gjithë e njihnin dhe kishin pasur kontakte me të. Dyshimet janë se grupet kriminale kanë pasur lidhje me elemente të politikës.
Në korridoret e politikës flitet se mund të ketë emra shumë të rëndësishëm, të cilët porositën vrasjen e Santos për të fshehur skandalet financiare. Megjithatë prokuroria nuk arriti të vërtetonte gjë. Dyshimet janë se SPAK do bëjë surprizën e madhe.
Videoja që zbardh gjithçka
Në korridoret e politikës dhe ato të drejtësisë kohët e fundit po flitet për një video, e cila hedh dritë mbi vrasjen e Santos. Personi që ka qëlluar ndaj Santos dyshohet se është vrarë. Ai sot rezulton i zhdukur, por para se të vritej është torturuar dhe është filmuar.
Ai ka rrëfyer se kush ishte porositësi i vrasjes së Santos. Ajo video nuk dihet ku ndodhet, por thuhet se aty përmendet një politikan i rëndësishëm. Nëse kjo video ka shkuar në duart e SPAK, priten zhvillime të forta. Për ekzistencën e kësaj videoje ka folur dhe gazetari investigativ Artan Hoxha, pak kohë më parë. “Personi që ka bërë qitjen me informacionin që kam unë, më pas është rrëmbyer dhe është zhdukur, është personazh që rezulton i përfshirë në seri ngjarjesh të rëndësishme në Shqipëri.
Ka një variant që ky para se të ekzekutohej e zhdukej është filmuar me kamera, është torturuar për të treguar e pastaj është ekzekutuar e zhdukur kufoma, gjatë torturave ka treguar lidhur me 31 ngjarje”, u shpreh gazetari Artan Hoxha pak kohë më parë për emisionin “Top Story”. Personi për të cilin flitet është Enver Stafuka. Ky person është rrëmbyer në 8 Shkurt të vitit 2015 në qendër të Fushë Krujës nga disa persona të maskuar si policë.
Trupi i Stafukës nuk u gjet kurrë. Ai ka pasur një çështje penale që lidhej me procesin për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Stafuka, kishte grabitur makinën e përdorur në krim nga biznesmeni Arben Frroku. Për rrëmbimin e tij është dyshuar një grup i fuqishëm kriminal i akuzuar për gjobëvënie dhe vrasje, por kurrë nuk janë siguruar të dhëna të mjaftueshme.