Presidenti Ilir Meta duket se ka vulosur shkarkimin e tij nga detyra. Dje Komisioni Hetimor e thirri atë në një seancë dëgjimore, por kreu i shtetit refuzoi pjesëmarrjen duke dërguar një letër me 28 faqe.
Letra e vulosur nga drejtori i kabinetit Edmond Panariti përmban një valë kritikash, sulmesh dhe akuzash ndaj Kuvendit, mazhorancës dhe në veçanti opozitës.
Meta shprehet në letër se nuk e njeh Kuvendin pasi sipas tij opozita është ilegjitime. Por gazeta ka mësuar se kjo letër pritet t’u bashkëngjitet provave të mazhorancës dhe do të jetë një tjetër provë e fortë për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të tij.
Meta shprehet në letër se Kuvendi që prej 2019 nuk ka patur një opozitë reale brenda tij. Ai deklaron se e ashtuquajtura opozitë në vend që të ngrihej për të hetuar skandalet, bie dakord e bashkohet në çdo votime apo nisma legjislative. Sipas Metës, mazhoranca dhe kryetari saj ka arritur të mbajë pranë vetes të gjithë deputetët në ikje.
“Ky Kuvend, që prej muajit shkurt 2019, nuk ka opozitë reale brenda tij! Nëse do të kishte opozitë, nisur nga numri i madh i skandaleve e denoncuar publikisht nga opozita reale dhe media, atëherë kjo “opozitë” të vetmin mjet kontrolli që kishte/ka ndaj shumicës dhe që është ngritja e Komisioneve Hetimore Parlamentare, do ta kishte shfrytëzuar të paktën sa për sy e për faqe?!
Fakti është që nuk ka kërkuar hetimin e skandaleve të rënda, por deputetët rrogëtarë në Kuvend, i bashkohen në votim çdo nisme legjislative e çdo vendimmarrjeje. Kjo reflekton qartë se Kryeministri i shumicës ia ka arritur t’i përfshijë brenda gjirit të tij thuajse të gjithë deputetët në ikje”, tha ai.
Po ashtu nuk kanë munguar as akuzat e forta ndaj deputetëve opozitarë për të cilët u shpreh se kanë lejuar veten të keqpërdoren e më pas të vendosen në krye të Komisionit Hetimor. Meta shkruan se këta deputetë, të cilët as nuk siguruan mandate, në vend që të hetojnë qeverinë dhe krimet zgjedhore, shkojnë i bashkohen me kënaqësi një Komisioni Hetimor për ta hetuar atë.
Sipas kreut të shtetit mungesa e opozitës së vërtetë dhe mungesa e përfaqësimit të popullit tregojnë se Kuvendi nuk gëzon asnjë legjitimitet për të hetuar, duke mos e njohur kështu veprimtarinë e Komisionit Hetimor. “Duhet kujtuar që këta lloj deputetësh të vetëquajtur “opozitar”, u vetofruan dhe u keqpërdorën për të realizuar ndryshimet e njëanshme Kushtetuese të 30 korrikut 2020 dhe sot çuditërisht, përfaqësuesi i tyre gjendet po me dëshirë Zëvendëskryetar i Komisionit Hetimor.
Janë po këta deputetë që “dëshironin” dhe kërkuan lista të hapura dhe sot gjenden në përbërje të “Komisionit Hetimor”, të cilët edhe pse rezultati paraprak zgjedhor tregon se, nuk siguruan as dhe një mandat, janë të gatshëm dhe bëjnë çmos që të mos hetohet qeveria dhe krimi zgjedhor, por me kënaqësi i bashkohen veprimtarisë antikushtetuese për të “hetuar” Presidentin e Republikës! Mungesa e opozitës në Kuvend, është një arsye më shumë, se përse Kuvendi në këto rrethana, nuk gëzon asnjë legjitimitet për të ngritur dhe as për të kryer veprimtari hetimore”, tha presidenti.
Reagon Komisioni Hetimor
Ndërkohë kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, Alket Hyseni vendosi t’i përgjigjej publikisht letrës së dërguar nga Presidenca. Ai u shpreh se komisioni është i bazuar në rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutës. Hyseni, gjatë mbledhjes së komisionit deklaroi se Parlamenti dhe veprimet e ndjekura prej tyre për shkarkimin e Presidentit janë legjitime.
Sipas tij mosparaqitja e Presidentit në seancën dëgjimore, shton më shumë dyshimet për të. “Do të doja që publikisht, t’i bëj me dije Presidentit që çdo shkresë e Komisionit Hetimor është e bazuar në rregulloren e Kuvendit, Kushtetutës, prandaj, përtej çdo pretendimi, do të ftoja jo vetëm Presidentin, por këdo tjetër, që të kuptojnë rolin e Parlamentit në një Republikë Parlamentare, e cila është maja e piramidës. Nga ana tjetër, kush ka arsye për t’u fshehur e mos u bërë transparent, hedh hije mbi vetën e vet. Kjo mungesë shkon në këtë logjikë”, tha Hyseni.