Shpallja “non grata” e Sali Berishës ka tronditur dje politikën shqiptare. Qëndrimi i Sekretarit Blinken ishte shumë i fortë, por në atë deklaratë ai e bën të qartë se kjo histori nuk mbyllet me kaq, pasi pas Berishës do e kenë radhën emra të tjerë.
Blinken shprehet se Berisha ka ndërhyrë në procese të tjera duke mbrojtur familjarë dhe aleatë të tij. Në qëndrimin e DASH përmendet retorika e kohëve të fundit e Berishës. “Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies.
Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhet në qëndrimin e DASH. Nëse shohim reagimet e kohëve të fundit të Berishës, vihet re se personi i vetëm që ai ka marrë në mbrojtje është Ilir Meta. Mazhoranca ka nisur një proces shkarkimi ndaj tij, ndërkohë që pati një betejë të fortë mes Metës dhe ambasadores Kim.
Diplomatja paralajmëroi ndëshkimin e Metës për thirrjet për dhunë dhe PS pas 25 prillit vendosi ta shkarkojë. PD u distancua prej tij dhe Berisha ishte i vetmi që reagoi duke sulmuar PS.
“Procesi i Edvin Drogës kundër presidentit, proces i puçist antikushtetues! Pas grabitjes së zgjedhjeve, dhunimit masiv të vullnetit të shqiptarëve me angazhimin e të gjithë shtetit monist, bajlozëve të zi të krimit dhe qindra milionë euro para droge por edhe të thesarit të shtetit, Edi Rama, kreu i meduzës së krimit të organizuar, Lukadroga i Ballkanit rinisi menjëherë vazhdimin e grushtit të shtetit me procesin antikushtetues të shkarkimit të Presidentit të Republikës”, shprehej Berisha.
Nëse analizojmë këtë qëndrim të tij dhe deklaratën e DASH duket se ka lidhje. Blinken deklaron se retorika së fundmi e Berishës tregon se është gati të mbrojë aleatët. Faktet janë se ai i doli krah Metës dhe ata janë aleatë të vjetër. Duket se kjo ndërhyrje e tij në mes solli dhe reagimin amerikan.
Rreziku ndaj Metës
Në qëndrimin e DASH ka edhe një deklaratë tjetër, e cila tregon se mund të kemi individë të tjerë që do shpallen “non grata”. Blinken shprehet se Berisha përdori qeverinë për të pasuruar veten, familjen dhe aleatët e tij politikë. Nëse kthehemi pas në kohë, aleati më i madh i Berishës në qeveri ishte Ilir Meta. Në vitin 2009 ata krijuan bashkë qeverinë dhe gjatë kësaj qeverisje ndodhën një sërë skandalesh, që nga videoja e famshme Meta-Prifti, afera e CEZ, afera CEZ-DIA dhe shumë të tjera.
Pra, aleati më i madh që ka përfituar nga qeverisja e Berishës është padyshim Meta. DASH flet për pasuri. Nëse shohim pasurinë e Metës ajo është shumë e lartë. Pra duket se personi tjetër i rrezikuar është Meta. “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë krah popullit shqiptar. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete të tilla për të nxitur përgjegjësinë për personat e korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”, shprehet DASH.
Sinjalet që Meta mund të ketë fatin e Berishës janë dhënë që më herët. Ambasadorja Kim e paralajmëroi hapur për thirrjet gjatë fushatës, ndërsa të martën ajo tha në një intervistë që kritikat ndaj tij ishin me porosi nga Uashingtoni. Si për çudi, një ditë më pas Berisha shpallet “non grata”. Meta është president, por në momentin që do të shkarkohet me shumë mundësi do kemi një vendim të ngjashëm nga DASH.