Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e PD dhe LSI për rivotim në qarqet Gjirokastër dhe Berat.
Në mbledhjen e zhvilluar dje, Komisioni rrëzoi me shumicë votash ankimimet e PD dhe LSI lidhur me parregullsitë e pretenduara prej tyre gjatë dhe pas votimit, për qarkun e Gjirokastrës dhe Beratit. Partia Demokratike kishte kërkuar nga KAS që të merrte prova shtesë nga institucionet shtetërore për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa LSI kërkonte prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar që të votonin.
Por, KAS i rrëzoi kërkesat e bëra nga partitë opozitare duke pranuar vetëm të verifikojë të dhënat për shenjat e gishtave të votuesve në Gjirokastër, të cilat nxjerrin, nëse votuesit kanë votuar më shumë se një herë. Ankimimi i PD-LSI për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës ka nisur që prej 1 jave, kur partitë ankuese paraqitën argumentet dhe pretendimet e tyre.
Ishte PD që ankimoi rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin se PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, ka dhënë leje legalizimesh, ndihma ekonomike dhe pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve.
Nga ana tjetër, LSI ankimoi rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër duke e argumentuar se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhje.
Pelinku flet për votimin e dyfishtë
Ndërkohë, sa u përket pretendimeve të partive për votim të dyfishtë në zgjedhjet e 25 prillit ka folur nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku. Ajo ka shpjeguar raportin për rastet e dyshimta për votim të dyfishtë në qarkun e Gjirokastrës, nga ku sqaroi se një pjesë e mirë e rasteve ishin, kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI për të qartësuar votuesin sesi bëhet votimi.
Pelinku nënvizoi se do të nisë edhe hetimi për këto raste. “Shenja e gishtit për më shumë se një rast, nuk mund të themi se kujt i përket shenja e gishtit në këtë fazë, nga të dhënat që na kanë rezultuar nga kryqëzimi, një nga të dhënat u përket operatorëve, në këto kushte na lind e drejta të dyshojmë se shenja unike e përdorur ka qenë e operatorit teknik që përdor pajisjen, por kjo duhet të jetë objekt i hetimit në vazhdim për të identifikuar në mënyrë të saktë kujt i përket gishti.
Ka pasur raste, kur votuesit kryesisht në moshë të madhe nuk i është njohur shenja e gishtit dhe ka vendosur gishtin operatori për t’ia treguar”, tha Pelinku.
Debate në mbledhje
Gjatë shqyrtimit të ankesave të PD dhe LSI për qarkun e Gjirokastrës, ka pasur edhe debate mes anëtarëve të KAS. Përplasja ka qenë mes relatorit Ledio Braho dhe anëtarit të KAS Ilir Rusmajli. Anëtari i KAS, Ilir Rusmali tha se të dhënat e paraqitura nga Pelinku janë kontradiktore. Sipas tij në raport thuhet të dhëna të dyshimta, ndërsa në dëshmi shenja që përputhen. Rusmajli ka kërkuar që brenda kësaj seance të dalin emrat e 2 personave, pozicionet që kanë ata, që kanë tentuar të votojnë në 2 qendra të votimi.
“Nëse ne, bazojmë vendimin tonë mbi një material që nesër do të griset bëjnë akt padrejtësie. Ndaj duhet ta sqarojmë këtë element. Në sqarimin e ditës së sotme thuhet që nuk është përfundimtar, ndërsa anëtarja e KQZ thotë se është përfundimtar. Komisioneri është verifikuar, i bëra thirrje KQZ që të bëhet procedim penal. Ka dy raste që komisionerët kanë votuar nga dy herë”, tha ai.
Ndërsa nga ana tjetër, relatori Braho, i kërkoi Rusmalit që të anashkalonte këto pyetje. Sipas tij, këto gjëra i përkasin Prokurorisë. “Ne nuk jemi as prokurori as gjykatë të vlerësojmë anën subjektive të komisionerëve. Se po bëni poezi këtu. Se dimë nga çfarë premisash është nisur ai komisioner për të votuar në qendra votimi. Këtë se paraqet dot asnjëherë. Ndaj pyesni prokurorinë”, tha ai.