Nga Mitro Çela
-Allo…Filip! Jam Thoma Zuzi! Kam sjellë peshk dhe ngjala nga Patoku. Ju pres tek Sky Tower.
Me lugë në brez, zumë vend rreth tavolinës: Koço, Filipi, Dori, Devis, Thomai dhe unë. Fjalën e mori Filipi:
-Sot do pimë verën qe ka bërë Lad Kosta. Nga më të mirat në Tiranë.
Ndërkohë thirri kamarierin. I tha në rrëzë të veshit:
-Mua më sill “Devolte”. Qorrat le të pinë verë – Ladi!
-Një dolli për Mitron,- tha Koçoja.-I vetmi i djathtë safi në tavolinë. Një nga temeluesit e PD-së. Kryeredaktor i RD-së. Deputet i Berishës! Me fund!
-Dale -dale! Nga doli i djathtë Mitroja,- tha Filipi.-Babai shofer me teserën e komunistit në xhep. Mama pjellore: lindi 13 kalamanë. Mitro 20 vjet punoi tek “ZP” dhe gazetën “Bashkimi”.
-Kam dëgjuar,-tha Dori,- se Mitroja ka qënë desident!
-Po për burg, ke dëgjuar?
-Jo!
-Dori! Desident në diktaturë, pa vite burgu, nuk mund të gjesh në mëmëdheun tonë?
-Mua,-tha Koçoja – më bënin desident letrat anonime. Me dy sebepe.
-Së pari. Xhaxhai në vitin 1939 braktisi Shqipërinë.
Së dyti, babai ishte nja dy – tre vjet në Itali. U bë operator në kinema. (Për fatin e tij të keq. )Deri në vitin 1951 punoi në kinemanë e Kuçovës. Pastaj në Tiranë, në kinema “17 Nëntori”.
Një ditë e thirrën shoqëruesit e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut. Të dy me shumë pushtet. U vendosi në shtëpi linja telefonike direkte.
Por ndodhi hataja: Të dy i shpallën armiq të popullit. I burgosën. I pushkatuan. E hëngri edhe babai im: nga kinemaja – punëtor në Kombinatin e Tekstileve…
-U rrita që u rrita unë? Doja të shkoja në lice. Dola para jurisë. Më rrahën shpatullat: Paske talent!
Por urtë e butë arriti anonimja: “Koço në lice?!Por atij i është arratisur xhaxhai në vitin 1949! Babanë e ka të dënuar!”
Niste verifikimi i “anonimes”. Sa doli e drejta, u dogj konkurimi.
-Anonimet kishin rënë në sevda edhe me mua. -Tha Filipi.-Nisa punë si gazetar ne “ZP”. Piva kafe me kryeredaktorin, Arshin Xhezo. Bëra një plan. E dogji një anonime nga Dermishti. Fshati im i lindjes. “Si mund të punojë Filip Çakuli në gazetën e partisë, kur gjyshin e ka pasur ballist?!”
-…Më “mbyllën derën” e gazetës. Më hapën derën e fermës në Plug-Lushnjë!
-E mo Filip!-Tha Koçoja.- Mos e bë qimen tra! Të dërguan në
Plug. Ferma, një vrap pele është larg Divjakës, ku ka shtëpinë Vasilika! Pse su bëre kolovar? Mitroja si kolovar, ishte si veshka mes dhjamit!/