Bien pretendimet dhe alibitë e ish-kryeministrit Sali Berisha sa u takon kundërshtimeve ndaj SHBA për shpalljen “non grata”. Ish-kryeministri ka hedhur në gjyq sekretarin Antony Blinken, duke e akuzuar për shpifje.
Berisha pretendon se SHBA nuk ka asnjë provë që të vërtetojë korrupsionin e tij. Madje duke u bazuar dhe te reagimi i DASH për gazetën “SOT”, Berisha është shprehur se informacionet kundër tij janë vetëm lajme mediash e raporte organizatash. Por si qëndron e vërteta? Gazeta ka siguruar të plotë nenin 7031/c, në bazë të së cilit u shpall i padëshirueshëm Berisha.
Bëhet fjalë për një nen të përcaktuar në ligjin për buxhetin. Në këtë nen nuk fliten në asnjë direktivë të tij për fakte. Aty përcaktohet fare qartë se Sekretari i Shtetit ka të drejtë të shpallë të padëshirueshëm këdo zyrtar të huaj, për të cilin ai ka informacion të besueshëm se është i përfshirë në korrupsion apo shkeljen e të drejtave të njeriut. Pra neni e ka bërë të qartë se vendimi nuk merret mbi bazë provash, por vetëm mbi bazë informacionesh dhe vetë DASH kështu shprehet në reagim.
Madje një tjetër përcaktim që rëndon pozitat e Berishës është se aty flitet për korrupsion direkt, por dhe për korrupsion indirekt. “Zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e familjes së tyre, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë të përfshirë direkt apo indirekt në korrupsion të rëndësishëm, përfshi edhe për nxjerrjen e burimeve natyrore, apo shkeljen e të drejtave të njeriut, u ndalohet hyrja në SHBA.
Sekretari informon gjithashtu publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e afërt të familjes, për të cilët ka informacion të besueshëm, pavarësisht nëse kanë aplikuar apo jo për vizë”, thuhet në ligj. Më tej përcaktohet se është po vetë Sekretari ai i cili vendos të tërhiqte nga ky vendim, pro kjo vetëm në dy aspekte.
Së pari nëse heqja e penalizimit për individin do të sjellë interesa të mëdha kombëtare për SHBA ose me kalimin e kohës kanë ndryshuar rrethanat për përfshirjen e individit në fjalë në korrupsion. Pra me pak fjalë, vendimi i marrë nga Departamenti i Shtetit më 19 maj të këtij viti, pritet të mos ndryshojë për një kohë shumë të gjatë, pavarësisht tentativave të ish-kryeministrit për të paditur zotin Blinken. Ligji e përcakton qartë se Sekretari nuk ka nevojë të ketë një dokument konkret në dorë, por i mjafton vetëm një informacion të cilin ai e cilëson të besueshëm dhe e merr vendimin për të shpallur “non grata”.
Dosja kalon në Kongres
Vendimi i marrë nga Sekretari Antony Blinken, pritet që të vuloset edhe nga Kongresi Amerikan. Neni në fjalë përcakton se 30 ditë pas marrjes së vendimit shkon një raport në Kongres dhe në Komisionin për Sistemin Gjyqësor. Aty do të jepen fakte dhe informacionet që ka DASH. Më pas çdo 90 ditë bëhet raportim i vazhdueshëm. “Jo më vonë se 30 ditë nga miratimi i këtij akti dhe çdo 90 ditë pasardhëse, Sekretari i Shtetit do të paraqesë një raport në të cilin nëse shihet e nevojshme do të përfshihet një aneks i klasifikuar drejtuar komiteteve përkatëse të Kongresit dhe komisioneve për gjyqësorin.
Në këto anekse do të përshkruhet informacioni i lidhur me korrupsionit ose me dhunimin e të drejtave të njeriut në lidhje me secilin prej individëve të shpallur të papërshtatshëm në 12 muajt paraardhës në përputhje me paragrafin (1) (A) si dhe individët të cilët Sekretari i Shtetit i ka përcaktuar ose identifikuar si të përputhshëm me paragrafin (1)”, theksohet më tej.