Liga e Kombeve do të marrë jetë të mërkurën në mesditë, pasi hidhen goglat për shortin e këtij aktiviteti. Në këtë veprimtari që organizohet për herë të parë nga UEFA, merr pjesë edhe Shqipëria, e cila do të jetë sot e futur në një vazo me Greqinë dhe Serbinë. Natyrisht, UEFA ka menduar që këto skuadra të mos përballen me njëra-tjetrën. Shqipëria bën pjesë në Ligën C, i cili organizohet në 4 vazo dhe kuqezinjtë, bashkë me Greqinë, Serbinë dhe Norvegjinë, bëjnë pjesë në vazon e dytë. Kjo ligë do të ndahet në 4 grupe, që do të përbëhen nga 1 ekip i çdo vazoje, çka bën që Shqipëria të mos përballet me Serbinë, Greqinë dhe Norvegjinë. Gjithsesi, është tërësisht e mundur një përballje me fqinjët e Malit të Zi, ashtu si edhe Izraeli, me të cilin ishim edhe në grupin eliminator të ‘Rusi 2018’.
Liga A përbëhet nga 12 skuadrat më të mira kontinentale, mes të cilave Gjermania, Portugalia, Belgjika e Spanja në vazon e parë; për të vijuar me Francën, Anglinë, Zvicrën dhe Italinë në vazon e dytë dhe më tej me Poloninë, Islandën, Kroacinë dhe Holandën në vazon e tretë.
Edhe në Ligën B janë 12 skuadra të nivelit shumë të lartë, nga Austria, Uellsi, Rusia e Sllovakia në vazon e parë; Suedia, Ukraina, Republika e Irlandës e Bosnja në vazon e dytë dhe Irlanda e Veriut, Danimarka, Republika Çeke dhe Turqia që pozicionohen në vazon e tretë të shortit.
Përsa i takon Ligës D, më e ulëta e turneut, aty janë 16 skuadra, me përfaqësuesen e Kosovës që do ta nisë shortin e vazon e katërt përkrah Andorrës, San Marinos dhe Gjibraltari, ndërsa kokat e grupit do të jenë Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia.
Organizimi dhe ndarja e skuadrave në grupe do të bëhet sipas formatit të përcaktuar, ndërsa në Ligën C, ku bën pjesë Kombëtarja Shqiptare, do të formohen 3 grupe me nga 4 skuadra dhe 1 grup me 3 skuadra. Kompeticioni më i ri i UEFA-s është cilësuar si “shpëtimtari” i ndeshjeve miqësore në futbollin kontinental, duke i dhënë një nivel të lartë konkurrence. Përballë fuqizimit gjithmonë e në rritje të klubeve dhe dëshirës për të mos lëshuar yjet e tyre në miqësore pa vlerë, UEFA mendoi pikërisht këtë format për të shtuar konkurrencën dhe atë çfarë është në lojë, si dhe për të bindur futbollistët se Kombëtarja është gjithmonë krenari. Sytë e tifozëve shqiptarë janë sot nga Lozana, atje ku shorti do të përcaktojë kundërshtarët e Shqipërisë në grupe dhe prej nga ku do të varet fati I kualifikimit në Europianin e vitit 2020. /Pamfleti.com