Partia Demokratike ka dhënë sot detaje të dosjes së gjykatës së lartë italiane, lidhur me rolin e vëllait të ministrit Xhafaj në trafikun e drogës.
Këshilltari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi tha se Agron Xhafaj kishte rolin e blerësit, mbajtësit dhe dhënësit të drogës.
Në një rast ai është filmuar teksa merr 1 kg heroinë dhe ia jep një agjenti të infiltruar të DEA-s.
“Me vendim nr 2232, i 2012, i Gjykatës së Lartë të Italisë është rrëzuar kërkesa e Xhafës duke lënë në fuqi dënimin me 7 vjet burg. Për pasojë ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal për trafik ndërkombëtar mes Europës dhe SHBA-së për drogën. Marrëveshja ishte për shkëmbim të drogës mes grupeve. Në operacionin e drogës merrte pjesë si i infiltruar një agjent i DEA-s, të cilit iu dërguar 1 kg heroinë që e siguroi Agron Xhafaj”, tha Bardhi.
Sipas tij “Agron Xhafaj është dënuar për bashkëpunim me persona të tjerë për mbajtje, dhënie dhe marrje të drogës ku ai kishte rolin e blerësit të drogës. Dosja posedon përgjime telefonike që zgjatën prej 1 viti e gjysmë”.