DASH i dha një goditje të fortë ish-kryeministrit duke e shpallur të padëshiruar për shkak të korrupsionit, por ky i fundit si askush më parë vendosi të sfidojë Blinken, duke paralajmëruar një padi në Francë për shpifje.
Berisha pajtoi një prej avokatëve më të njohur në Francë, ndërsa gazeta ka mësuar dhe strategjinë që pritet të ndjekë Berisha në këtë gjyq. Qëllimi i tij primar është që të tregojë se SHBA është keqinformuar për të dhe se nuk ka prova, por vetëm informacione.
Për këtë arsye Berisha do të fusë në lojë përplasjet me George Soros. Në disa studio Berisha ka deklaruar se vendimi kundër tij erdhi falë lobimeve të Soros. Por gazeta ka mësuar nga njerëz pranë Berishës, por dhe nga individë që kanë punuar në Fondacionin Soros, se Berisha ka nisur lobimet për të mbledhur sa më shumë fakte dhe dokumente kundër Soros dhe fondacionit të tij.
Mësohet se ish-kryeministri dhe njerëz pranë tij kanë nisur të kontaktojnë individë që dikur kanë punuar me Soros duke u kërkuar informacione dhe të dhëna mbi skandale, favore të Soros ndaj qeverisë së Ramës dhe fakte që vërtetojnë sherrin e Berishës me Soros. Po ashtu, gazeta ka mësuar se qëllimi i Berishës është që të lidhë Ramën me Soros.
Në gjykatë avokati pritet të mbrohet me idenë se ka qenë qeveria “Rama”, e cila në bashkëpunim me Soros kanë keqinformuar DASH. Po ashtu, mësohet se Berisha ka afruar pranë vetes miq dhe juristë, të cilët po tentojnë të mbledhin fakte e prova që do e ndihmojnë në gjyq. Madje mësohet se në lëvizje janë vënë dhe njerëz të tij në SHBA, sidomos shqiptaro-amerikanë dhe senatorë apo ish-senatorë, të cilët kanë miqësi me Berishën. Ajo që bie në sy është se Berisha si strategji për të dalë nga uragani i SHBA ka zgjedhur të përdorë sherret me Soros. Ndërkohë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me padinë e tij, pasi është një rast shumë i veçantë. Kemi një padi në Francë dhe jo në SHBA apo në Shqipëri.
Akuzat ndaj Soros
Të enjten Berisha ishte në një studio televizive, ku edhe aty ai fajësoi George Soros për vendimin e DASH. Madje ai u shpreh se ky vendim është përgatitur që në vitin 2019, kur ambasador ishte Donald Lu. Kjo nga ana tjetër lëkund pozitat e tij sepse Lu ishte pjesë e administratës së republikanëve dhe Soros është armiku i tyre. Sali Berisha nuk ka pasur kurrë problemin më të vogël kur në pushtet në Uashington kanë qenë republikanët.
“Sali Berisha nuk ka pasur asnjë problem në mandatin e parë të presidentit Obama. Këtu ka ardhur Hillary Clinton dhe ka mbajtur një fjalim që nuk ka mbajtur kush kurrë në trojet e kësaj toke. Për mua akuza më e rëndë që kam marrë në jetën time ishte ajo për terrorizëm. Padiskutim që e ka marrë në emër të DASH vendimin. Xhorxh Soros dhe Edi Rama me lobimin e tyre korruptiv, fuqinë e ka Soros. Soros ka investuar në rajon më shumë se te kushdo tjetër te Edi Rama, krushku i tij.
Pyet pak kur vjen ai se si ka edhe punonjës se çfarë mbipushteti ka ai qoftë ndaj personave shqiptarë dhe jo shqiptarë”, tha Berisha. Sipas burimeve të gjithë mbështetësit e tij, ekspertë, juristë dhe shqiptaro-amerikanë janë angazhuar fort ditët e fundit duke kontaktuar njerëz dhe kompani të ndryshme duke mbledhur fakte e prova. Pra duket se ish-kryeministri e ka marrë seriozisht betejën me Blinken dhe ka angazhuar të gjithë besnikët e tij. Mbetet të shihet nëse Soros do të jetë karta e gjetur në këtë përballje./Kliti Topalli