Gazetari Mentor Kikia, thotë se veprimet e socialistëve tregojnë faktin se e kanë marrë seriozisht nismën e tyre për të larguar sa më parë Ilir Metën nga drejtimi i institucionit të presidencës.
“S’kishte le të themi dyshime që socialistët do të nxitonin brenda afateve për të përmbushur atë premtim për të larguar Ilir Metën nga zyra e Presidentit të Republikës. Është duke u ecur në linjën e paracaktuar, miratimi i raportit është mbi fakte apo argumente të bëra publike edhe nga vetë Rama apo dhe eksponentë të PS, pra nuk ka gjëra të reja”, tha Kikia.
Ai thekson se pas këtij hapi, Parlamenti do mblidhet shumë shpejt për të hedhur në votim shkarkimin e tij.
“Shumë shpejt parlamenti do të mblidhet për të shkarkuar Ilir Metën. Komisioni ka më shumë argumente në dorë”, tha ai.
Gazetari është i mendimit se “vulën” e socialistëve për të shkarkuar presidentin do ta miratojë edhe Gjykata Kushtetuese, duke mos i krijuar mundësi Metës, që të mbyllë mandatin e tij, sipas afateve kushtetuese.
“Nuk kam asnjë lloj dyshimi që Gjykata Kushtetuese do ta miratojë shkarkimin e z. Meta, pavarësisht nëse do ketë argumente kushtetuese për të mos e aprovuar, por në këtë rast mendoj se do të fitojnë argumentet politike se sa ato ligjore. Rruga është plotësisht e shtruar tashmë, qoftë në argumente, qoftë në mbështetjen që PS ka në mënyrë të heshtur dhe jo vetëm për ta çuar deri në fund këtë mision. Meta besoj se nuk do ta kapë fundin e mandatit të tij kushtetues, por do të shkarkohet”, tha ai për Euro News.
Kikia u shpreh se me këto manovra po synohet që dyshen Berisha-Meta ta largojnë nga roli i protagonistëve në politikën shqiptare.