sh-kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi ka treguar se përse Departamenti i Shtetit e dha tani vendimin për të shpallur Berishën të padëshiruar. Janë të shumtë ata që thonë se ai ka 8 vite që nuk është në pushtet dhe mund të ishte marrë më herët vendimi, por Klosi në një intervistë për gazetën “SOT” tregon se arsyeja është reforma në drejtësi.
Sipas tij, qëllimi i SHBA nuk është vetëm ta shpallin “non grata”, por ta dërgojnë para drejtësisë. Ai shprehet se Berisha ka pasur shumë ndikim në drejtësi dhe nëse shpallej i padëshiruar më herët, ai do të dilte i lartë nga kjo histori, por tani nuk ka më ndikim dhe SHBA do e dërgojë “ushqim për SPAK”. Ai ka folur dhe për zgjedhjet në PD, zgjedhjet e 25 prillit dhe aleancën Meta-Berisha. Po ashtu Klosi ka folur dhe për disfatën e LSI në zgjedhje.
-Zoti Klosi jemi më shumë se një muaj pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe opozita vijon betejën duke pretenduar se zgjedhjet u manipuluan. Si shpjegohet që pas 30 vitesh demokraci ende pala humbëse nuk e pranon rezultatin?
Po si do ta pranojë opozita e drejtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim humbjen e zgjedhjeve?! Opozita gjithmonë ka humbur zgjedhjet, kështu që nisur nga ky rezultat, ajo po nxjerr justifikime, duke mos njohur rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Ata (opozita e bashkuar) e kishin mbushur opinion publik dhe sidomos atë që beson tek ata, se nga zgjedhjet e 25 prillit do të dilnin fitues, etj. dhe ne do bëjmë ndryshime, siç thoshin ata, që populli mezi po pret ndryshimin dhe ne do sjellim ndryshimin, etj., etj. Por e vërteta ishte dhe është krejt ndryshe, pasi qytetarët shqiptarë i ndëshkuan sërish në 25 prill.
Opozita mbase e dinte që e kishte të humbur betejën dhe bënte propagandë, mirëpo rezultatit doli tjetër fare. Kjo do të thotë se është e qartë dhe rrugë e tyre e kthyer tanimë në zakon që ata (opozita) do të justifikohen, duke pretenduar se zgjedhjet u manipuluan. PD dhe LSI, pra opozita janë jashtë loje komplet dhe kjo gjë madje u reflektua edhe në zgjedhjet e fundprillit, ku u ndëshkuan me votë nga qytetarët.
-Në gjykimin tuaj, me aq sa u pasqyrua në media, PS e meritonte fitoren apo pati dhe shkelje sikundër pretendon opozita?
Absolutisht që Partia Socialiste e meriloi fitoren dhe absolutisht që në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk pati shkelje. Për mendimin tim dhe me atë që pashë gjatë gjithë ditës së votimeve, zgjedhjet e 25 prillit ishin zgjedhje të qeta dhe pa probleme. Kështu që nga kjo pikëpamje dua të theksoj se këto zgjedhje më pëlqyen shumë, pasi ishin të qeta, duke nisur nga procesi i votimit, deri tek numërimi i votave. Madje, madje po ta shikoni me kujdes gjithë situatën gjatë procesit të zgjedhjeve dhe disa orë pasi zgjedhjet ishin mbyllur, të gjithë aktorët politikë i pranuan zgjedhjet, madje opozita nxitoi dhe u shfaq edhe entuziaste.
Pra, të gjitha palët ishin të kënaqura dhe nuk kishte probleme, pasi zgjedhjet u zhvilluan në mënyrën më të qetë të mundshme. Dhe besoj për këtë biem të gjithë dakord edhe ata (opozita) që i kontestojnë sot që flasim zgjedhjet e 25 prillit. Megjithatë, nga ana tjetër vlen të theksohet fakti se problemi me zgjedhjet nisi atëherë kur filluan të numëroheshin votat, pasi edhe në periudhën e pushim që u bë, pra kalimi nga Qendrat e Votimit tek Qendrat e Numërimit/KZAZ-të, të gjithë udhëheqësit e opozitës ishin optimistë, duke thënë që do të fitonin, madje kishte nga ata që pretendonin se kishin fituar dhe se fitorja ishte brenda në kutitë e votimit dhe priste vetëm të lexohej.
Por papritur opozita u gjend e humbur dhe natyrisht zgjodhi rrugën e kontestimit të rezultatit siç tanimë e ka bërë zakon, që gjoja i justifikon që na i vodhën, na i blenë, e më the të thashë. Kjo punë është bërë estradë tashmë dhe nuk shkon e nuk ia vlen të merresh dhe komentosh opozitën. Kështu që, si përfundim dua të nënvizoj se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin të mira e të qeta, ndërsa fitoi ai që e meritonte dhe ishte më i miri, sikundër ishte Partia Socialiste që ishte alternativa më e mirë.
-Si e shihni situatën brenda PD? Më 13 qershor do të kemi zgjedhje për kryetarin e ri, ndërkohë që disa demokratë kanë dalë kundër Bashës dhe kërkojnë largimin e tij.
Unë nuk e njoh situatën brenda Partisë Demokratik dhe di për të po aq sa dini ju, pasi shohim atë që na pasqyron media. Por megjithatë të dal tek pyetja dhe mendoj se ata që e kanë në dorë situatën brenda PD-së e kanë rregulluar dhe shtruar rrugën që kreu i Partisë Demokratike të zgjidhet sërish Lulzim Basha. Kjo duket shumë e qartë që zgjedhjet në PD do t’i fitojë Luli dhe se tre kandidatët e tjerë që janë rivalë të Lulzim Bashës po përpiqen të bëjnë si të thuash tentativat e tyre, por gjasat janë që kreu i ri i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 13 qershorit të zgjidhet sërish Lulzim Basha.
-Një zhvillim i 25 prillit ishte disfata e LSI. Ju keni qenë pjesë e saj dhe në gjykimin tuaj pse LSI u kthye atje ku ishte, te rreth 100 mijë vota? Pse kjo rënie kaq drastike?
Lëvizja Socialiste për Integrim mori dhe korri atë që i takon. Juve mbase ju duket habi që LSI u tkurr si parti në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, por mua jo, pasi unë e njoh shumë mirë këtë parti. Por unë besoj se janë shumë faktorë që ndikuan që Lëvizja Socialiste për Integrim të pësonte këtë disfatë në 25 prill.
Faktori kryesor natyrisht është që LSI-ja është parti e kompromiseve dhe pazareve të ndyra, ku njëherë shkon në një anë dhe njëherë në anën tjetër. Këtë radhë qëlloi që Lëvizja Socialiste për Integrim ishte së bashku me Partinë Demokratike, pavarësisht se në koalicione të ndryshme. Domethënë LSI-ja nuk jep më asnjë lloj shprese për qytetarët shqiptarë, kështu që këta të fundit e ndëshkuan me votë. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ofron shpresë dhe ndryshim, elementë këto që shkojnë në dobi dhe të mirë të vendit.
Ndërkohë një tjetër faktor që penalizoi LSI-në është fakti se kjo parti qëndroi 4 vjet në opozitë dhe natyrisht që për një parti si kjo, është shumë e vështirë të mbijetosh. Lëvizjes Socialiste për Integrim 4-vjeçari që qëndroi në opozita iu kthye në bumerang, pasi ajo u kushtëzua dhe nuk mundi dot që të ndiqte politikën e saj të punësimeve, shpërndarjes së posteve në institucionet e varur prej saj dhe pazareve të pista.
Kështu që parë nga ky këndvështrim, LSI u penalizua, sepse nuk kishte mjaftueshëm logjistikë për të ushqyer militantët e saj. Megjithatë, një faktor shumë i rëndësishëm që ndikoi që Lëvizja Socialiste për Integrim të tkurret dhe pësoi disfatë është edhe përfshirja e presidentit Ilir Meta në fushatë elektorale dhe në politikë. Iliri bëri një figurë jo të mirë dhe duke parë këtë, qytetarët e ndëshkuan ish-partinë e tij. Me pak fjalë Lëvizja Socialiste për Integrim me marrjen e mandatit për 4 deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, u kthye në pozicionin/pozitat që i takonte dhe e meritonte.
-Një zhvillim që ka tronditur politikën është padyshim shpallja i padëshiruar i Berishës nga SHBA. Sipas jush, pse erdhi ky vendim?
Shpallja “non grata” e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për mua është një vendim plotësisht i merituar dhe justifikuar për ata 2 faktorë që ka përmendur Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken. Ky i fundit në mesazhin e tij dhe që është vendim thotë se: “Veprimet korruptive të ish-Presidentit Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri.
Dhe nisur nga kjo shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”. Berisha akuzohet hapur nga amerikanët për korrupsion dhe si pengues i demokracisë, ndërkohë që ata si bazë dhe hetime për Berishën në këto dy drejtime janë fokusuar. Pengesë e demokracisë që partneri ynë strategjik, siç është Amerika akuzon Saliun është edhe sjellja e bërë nga Berisha si në ‘97 apo Grushti i Shtetit i provokuar nga Berisha dhe shpura e tij në ‘98. Dhe janë madje gjithë ato ngjarje që kanë mbetur të rëndësishme në histori dhe në situatën post komunizëm, në të cilat kontributi i Berishës ka qenë direk, pasi ka qenë personazh kryesor në Partinë Demokratike dhe politikën shqiptare.
Gjithashtu janë ngjarjet e “21 Janarit” e pafund krime të tjera të kryera nga Berisha, pra me urdhër të tij, që ndikuan dhe bënë që DASH të kopsiste dosjen për Saliun. Për mua, por edhe amerikanët “Korrupsioni dhe minimin e demokracisë” etiketohen si figura krimi, kështu që ata morën këtë vendim. Unë nuk çuditem që Berisha u shpall person i padëshiruar nga amerikanët. Kjo pasi problemi është që tani u krijuan kushtet dhe amerikanët u hodhën në veprim. Tani është koha që drejtësia të flasë fjalën e saj.
Se shoh që po diskutohet sot dhe madje shumë që jo pse u mor vendimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit tani, e pse nuk u mor më parë, pasi do na kishin shpëtuar, e më the të thashë. Jo, ju them. Pasi çdo gjë ka kohën e saj. Ngjarjet e mëdha në historinë e një vendi nuk ndodhin se kërkon njëri apo tjetri, por këto ngjarje ndodhin dhe kanë ecurinë e tyre. Tani që flasim kemi një sistem drejtësie të ri dhe të pavarur nga politika. Kështu që tani vendimi i DASH për Berishën është edhe akuzë, që vë në lëvizje drejtësinë në vendin tonë.
Pra, unë po them për ju një detaj që amerikanët mund ta kishin shpallur “non grata” Sali Berishën edhe më parë, pasi dosjen atij ia kanë kopsitur me kohë. Por amerikanët janë strategë dhe duke parë që Sali Berisha para se të miratohej reforma në drejtësi dhe niste procesi i vetingut kishte pushtet absolut mbi prokurorët dhe gjyqtarët, ata u frenuan disi, pasi po të ishte publikuar vendimi në atë kohë, pra kur drejtësia ishte e kapur nga Saliu, kjo gjë do të rezultonte flluskë sapuni. Kështu që amerikanët pritën momentin dhe tani shpallja “non grata” në një farë mënyrë është edhe hedhja e Berishës në gojën e SPAK-ut. Problemi tani është shumë serioz dhe organet e reja të drejtësisë janë përballë një sprove të madhe, pasi Sali Berisha është “peshkaqen” dhe që i ka ardhur koha të japë llogari. Kaq.
-Berisha pretendon se SHBA është keqinformuar nga Rama dhe Soros. Ju si ish-kreu i SHIK keni bashkëpunuar me amerikanët dhe keni shkëmbyer informacione, a vepron Uashingtoni pa pasur të dhëna të sigurta?
Berisha ka rrjedhur. Unë e kam quajtur njeri punëtor, por ai ka rrjedhur me kësisoj pretendimesh që ngre që gjasme dosja e tij është gatuar në Tiranë nga Edi Rama dhe Xhorxh Soros. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shteti më i fuqishëm dhe më serioz në botë. Amerikanët nuk veprojnë pa pasur prova dhe fakte.
Kështu që dua t’ju them një gjë që në vitin 2005, Partia Demokratike erdhi në pushtet pasi amerikanët i kërkuan Fatos Nanos që shiko lërë këtë punë dhe largohu nga pushteti. Amerikanët asokohe u treguan më të butë, pasi nuk ia thanë siç ia thanë sot Sali Berishës, duke e shpallur person të padëshiruar në Amerikë, por i thanë ik nga pushteti. Asokohe amerikanët e akuzonin Fatos Nanon për korrupsion, sikundër thuhej edhe në media dhe në Shqipëri. Por që i ndodhur përpara këtij realiteti, Fatos Nano u detyrua dhe e la pushtetin, pasi PD nuk kishte për të ardhur kurrë në pushtet. E vetmja ose të vetmet zgjedhje që Partia Demokratike ka fituar ka qenë viti 1992.
Megjithatë, për të hyrë në brendi të pyetjes tuaj, dua të theksoj se Uashingtoni bashkëpunon me Tiranën, por ata çdo gjë që bëjnë e bëjnë bazuar në prova. Provat dhe faktet amerikanët i kanë nga shërbimet e tyre inteligjente dhe institucionet e tyre ligjzbatuese dhe nuk presin nga Tirana. Mos e dëgjoni Berishën që thotë informacionet kanë dalë nga tavolina e Edi Ramës, pasi dosja e Berishës në Amerikë është voluminoze. Që ta keni të qartë njëherë e mirë, amerikanët kanë shumë më tepër informacione për çdo politikan apo pushtetar dhe individ shqiptar apo edhe kombësie tjetër, më shumë se vendi dhe institucionet e origjinës.
Amerikanët kanë në dorë telefonata, e-mailet e botës, etj. Amerikanët nuk presin nga ne, ata vërtet bashkëpunojnë, por kur vjen puna për drejtësi ata duan drejtësi dhe prandaj e bënë shembull Saliun. Amerikanët përgjojnë Merkelin dhe jo më Sali Berishën me shokë. Kështu që harrojeni se vendimet amerikanët i marrin pa u bazuar në fakte dhe prova.
-Ka shumë që mendojnë se SHBA ka nisur një proces spastrimi. Kemi mesazhin e ambasadores ndaj presidentit dhe ai është në proces shkarkimi. Kemi vendimin ndaj Berishës. SPAK po hap dosjet e bujshme. Mendoni se shpallja “non grata” e amerikanëve ka si qëllim që të mbyllë ciklin e klasës politike që ka 30 vite që na drejton?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë për Shqipërinë dhe sidomos për reformën në drejtësi. Kështu që nisur nga kjo, Uashingtoni është tejet i interesuar që në Shqipëri të vendoset drejtësi dhe të marrë fund pandëshkueshmëria. Kështu që shpresoj se me shpalljen “non grata” të një politikani, amerikanët kanë si qëllim që të mbyllin ciklin e klasës politike që ka 30 vite që na drejton, sikundër njëri prej tyre është Sali Berisha. Kohët e fundit në Shqipëri qarkullonte jehona e “peshqve të mëdhenj”. Por asnjë peshk nuk ra në rrjetë dhe të ndodhur përpara kësaj situate, amerikanët nisën ofensivën, duke bërë një provë dhe shpallur “non grata” Saliun. Shpallja “non grata” për Berishën, është akuzë e drejtpërdrejtë, pasi tani ai duhet të jetë subjekt i SPAK. Megjithatë, tani topin e ka në dorë drejtësia shqiptare.
-Si e shihni faktin që Berisha e Meta janë bashkë në këtë betejë? Berisha doli kundër shkarkimit të Metës dhe presidenti sulmoi fort SHBA.
Unë e kam thënë edhe më parë për gazetën tuaj, se ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta kanë lidhje me njëri-tjetrin. Iliri dhe Saliu kanë raporte të mira me njëri-tjetrin, kështu që është e natyrshme që ata të solidarizohen me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër dua të shtoj se amerikanët nuk të dënojnë për gjuhën dhe retorikën e ashpër që një politikan shqiptar përdor kundër tyre.
Për shembull meqenëse jemi tek Meta edhe ky i fundit ka përdorur gjuhë të fortë ndaj amerikanëve, ndërkohë që edhe Berisha nuk mbetet pas, pasi i ka sharë shumë, por ata thanë që “Sali Berishën e akuzojmë për korrupsion dhe pengim të demokracisë”. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Ilir Metën në qoftë se do ta shpallin “non grata”, pra “korrupsion”. Pra, kanë çfarë thonë amerikanët, pasi ata nuk e kanë me inat dhe punë gjuhe. Amerika është shtet i madh dhe nuk i merr vendimet në bazë inati. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të na ndihmojnë dhe kjo është ideja, që përmes këtyre mekanizmave ata duan që të na nxisin të luftojmë krimin dhe korrupsionin.
Ndërkohë, që mendoj se pas Berishës, do të ketë të tjerë politikanë dhe pushtetarë shqiptarë që do të shpallen “non grata” nga SHBA. Sali Berisha sapo ka hapur vallen. Por që të shtoj edhe diçka për raportet mes Metës dhe Berishës, një simbiozë mes tyre e përmendi edhe kryeministri Edi Rama, kur i bëri ofertën e bashkëpunimit Lulzim Bashës, që i vuri kusht që të distancohet nga dyshja “Meta-Berisha”. Unë besoj se Edi ka shumë informacione dhe kot nuk e ka parashtruar këtë kërkesë, duke i kërkuar Lulit të distancohet nga Meta dhe Berisha. Kështu që analizojeni vetë ju…
-Berisha ka deklaruar se ndaj tij nuk ka asnjë padi dhe se ai kurrë nuk është përfshirë në afera. Ju e njihni shumë mirë Berishën. A ka ai kusure për të larë?
Sali Berisha ka shumë kusure për të larë dhe i ka shkaktuar shumë vuajtje popullit shqiptar.
-PS ka vendosur që më 9 qershor të shkarkojë presidentin. Si e shihni këtë lëvizje?
Të shpresojmë që mazhoranca t’i shkojë deri në fund nismës së saj për të shkarkuar presidentin Ilir Meta. Por tani problemi nuk është politik, pasi topi është në fushë të Kuvendit të Shqipërisë. Duhet të presim datën 9 qershor për të parë, pasi aty hidhet hapi i parë për shkarkimin e Metës dhe duhet parë që a plotësohen votat që nevojiten për ta shkarkuar Ilirin nga detyra e kreut të shtetit.
-Një tjetër temë është drejtësia, e cila duket se ka nisur të lëvizë. Dosje si “21 Janari” dhe “Gërdeci” janë rihapur, ndërkohë po ashtu po hetohet vrasja e Artan Santos. Mendoni se drejtësia e re tani do nisë të japë frytet e saj?
Nuk mendoj, por shpresoj që drejtësia e re do të nisë të japë frytet e saj. Fakti që dosje si “21 Janari” dhe “Gërdeci” janë rihapur, ndërkohë po ashtu po hetohet vrasja e Artan Santos, është një ogur i mirë dhe shpresoj që do të vendoset në vend drejtësia për këto çështje, por edhe dosje të tjera që janë mbyllur apo flenë në sirtarët e institucionit të akuzës. Fakti që këto dosje po rihapen tani dhe u akuzua Sali Berisha që kërkush nuk e imagjinonte që gjërat do të vinin kaq shpejt deri tek ai, tregon se kjo është një periudhë apo fushatë që do të rivendoset drejtësia e munguar në vend. Pra, gjithçka është pozitive.
-A ka ardhur koha që të shohim zyrtarë të lartë të dalin para drejtësisë? Dënimi i Adriatik Llallës mendoni se është sinjali i parë?
Absolutisht po. Sali Berisha është zyrtari i parë që duhet të ndëshkohet dhe për mua është “peshkaqen”, ndërkohë që edhe ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla meriton të ndëshkohet, por që për mua ai është “peshk i madh”, por jo i nivelit të Berishës. Dënimi i Llallës është hap cilësor, pasi është rast i paprecedentë në Shqipëri që Prokurori i Përgjithshëm, i cili ka qenë në detyrë deri para 3-4 vitesh, tani nuk është më i paprekshëm. Kjo është një provë që mesa duket sistemi i ri i drejtësisë i mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë do të hyjë në shina dhe do bëjë punën që i takon, duke mos toleruar asnjë./Rigels Seliman