Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për përsëritje të zgjedhjeve të 25 prillit.
Kolegji ka vulosur rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Gjirokastrës, duke rrëzuar kështu të gjitha paditë e bëra nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim për zgjedhjet.
Pak kohë më parë, Partia Demokratike kishte kërkuar nga KAS që të merrte prova shtesë nga institucionet shtetërore për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa LSI kërkonte prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar që të votonin.
Partia Demokratike ankimoi rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin se Partia Socialiste ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, ka dhënë leje legalizimesh, ndihma ekonomike dhe pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve.
Nga ana tjetër, LSI ankimoi rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër duke e argumentuar se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për të karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhje. Por, këto ankime u rrëzuan nga KAS, gjë e cila bëri që partitë vendimin e KAS ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor, por edhe ky i fundit i rrëzoi kërkesat e LSI dhe PD. Duke qenë se është Kolegji Zgjedhor ai i cili, vulos rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, rrëzimi i kërkesave të partive opozitare tregon se nuk do të kemi përsëritje të zgjedhjeve.
Debate në mbledhje
Ndërkohë, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso ngriti shqetësimin sipas tij, për votimin e emigrantëve që u ndaluan të vijnë si pasojë e pandemisë. Ai theksoi se qenë shumë pak qytetarë, ata të cilët kanë votuar në këto zgjedhje. “Një mase të madhe iu është mohuar e drejta vetëm 6 ditë para zgjedhjeve për të afektuar qartësisht procesin. Dhe në këtë bashki kjo ka efekte të drejtpërdrejta sidomos në Bashkinë Dropull, që në masë më të madhe të popullsisë ka etni greke.
Këtu kanë votuar më pak se gjysma e atyre që ushtruan të drejtën e tyre në 2013”, tha ai. Ndër të tjera, Kaso u shpreh në seancën e Kolegjit Zgjedhor se PD nuk e pranon humbjen edhe pasi Kolegji vulosi rezultatin e zgjedhjeve për qarkun e Gjirokastrës. Sipas Kasos, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, refuzuan të jepnin një vendim objektiv dhe transparent. “Nuk do të heqim dorë nga transparenca nga ky proces elektoral, që ka qenë më i ndikuar nga interesat e mazhorancës, që nuk lejonte shqiptarët të votonin të lirë.
Beteja për transparencë është shumëpalëshe, kemi zhvilluar në planin administrativ, në KAS dhe KQZ, do të bëhet në rrugë penale, mund të zhvillohet në rrafshe të tjera Kushtetuese, sepse shkeljet që ne kemi prekur janë shumëpalëshe. Çdo veprim i tyre, në mos sot do të vihet përpara shërbimeve ligjzbatuese dhe të gjithë do të japin llogari për procesin e 25 prillit. LSI dhe opozita nuk pranon një vendim të dhënë për këto shkaqe”, tha ai. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor, Eridian Salianji, i cilësoi si prova të cunguara ato të siguruara nga Partia Demokratike.
Ai theksoi, se nuk mund të paraqesësh prova në Kolegj, të marra nga deklarata politike, pasi janë në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, e për këtë, ai kërkoi nga trupa e gjykatësve, të mos marrin parasysh provat e paraqitura nga PD.
“Sa u përket kërkesave ankimore, janë në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Zgjedhor, ku flitet për pavlefshmëri. Nuk është përmendur asnjë shkelje konkrete. KQZ kryesisht ose me kërkesë të subjekteve zgjedhore i shpall në një apo më shumë qendra votimi të pavlefshme nëse ka shkelje të rënda. Të më përmendet një qendër votimi që ka shkelje ligji.
Nuk kemi qendër konkrete ku është shkelur ligji. Ankuesit u kanë qëndruar në terma të përgjithshëm ankimeve, nuk janë detajuar. Pra, kërkohet prova, në qendër votimi, nuk kërkohet prova nga deklarata politike. Thuajse të gjitha vendimmarrjet e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ janë dërguar nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Vetëvendosje në Kolegjin Zgjedhor.
Me përfundimin e Gjirokastrës në Kolegjin Zgjedhor mbeten për t’u gjykuar edhe 8 qarqe. Ndërkohë, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka shqyrtuar dje kërkesat ankimore për 3 qarqet e fundit që kanë mbetur, respektivisht Korçën, Elbasanin dhe Fierin. KAS vendosi që të rrëzojë kërkesat e PD-AN dhe LSI për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Korçës, Elbasanit dhe Fierit./NGA SIDORELA BRAÇJA