Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi pas përfundimit të Asamblesë se dora për Partinë Demokratike vijon të jetë e shtrirë për bashkëpunim pas 9 shtatorit, kushdo që të jetë kryetar i PD-së.
Balla iu përgjigj edhe kreut të PD-së, Lulzim Basha për deklaratën e bërë sot, lidhur me zgjedhjet në PS, duke u shprehur se ai duhet t’i referohet socialistëve për modelin e partisë dhe organizimin e saj.
Pyetje: Basha thotë se Rama e ka kthyer PS në stallë lopësh, keni koment?
“Ç’të them unë për Lulin, pyesni Lulin për stallën që drejton. Minimalisht Luli kur i referohet PS, duhet ti referohet një partie që ka një mirëorganizim të pakrahasueshëm dhe të gjithë anëtarët e vet i ka të disponueshëm. Por nuk dua t’i futem problematikave në atë parti, ku nuk dihet kush do të votojë për kryetarin më 13 qershor.
Ne vazhdojmë ta mbajmë dorën e shtrirë dhe dëshirën tonë të pakushtëzuar për t’u ulur me PD-në sapo të fillojë legjislatura e re, me këdo që do jetë kryetar i PD. Maxhoranca ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët për të çuar para shumë reforma që kërkojnë një shumicë që ne nuk e kemi”, u shpreh Balla.