Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi se nuk ka asnjë përgjegjësi morale për dy ngjarjet tragjike të ditëve të fundit në Shqipëri, ku humbën jetën 8 persona.
Duke iu referuar aksidentit tragjik ku u shua një familje, dhe masakrës me katër të vrarë në Velipojë, Çuçi tha se “kjo është një gjë e zakonshme”. Ai e arsyetoi tezën e tij, me argumentin se aksidente kishte edhe në komunizëm.
“Si njëri do të doja të mos kishte asnjë vrasje apo aksident, këtë e dëshiroj, por kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk ka ndodhur as në diktaturë. Kishte pak mjete, por kishte aksidente me vdekje. Janë gjëra që ndodhin. Nuk mund të kem përgjegjësi morale për një gjë të zakonshme.
Jo në kuptim negativ të fjalës. Kështu që nuk ndjej ndonjë përgjegjësi. Dua të ruaj gjatë mandatit tim këto statistika dhe këtë trend të aksidenteve në ulje”, tha Çuçi.
Kush e kërcënoi ambasadorin Soreca që u mor në mbrojtje nga Garda? Bledi Çuçi jep përgjigjen e prerë
Gjithashtu Çuçi komentoi propozimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për klasifikimin e aksidenteve si vrasje me dashje. Ministri tha se ky ndryshim është çështje penalistësh, ndërsa tha se para ligjit, rëndimi i pozitës është i njëjtë, por ndryshon emërtimi. Çuçi tha se armëmbajtja pa leje është problem që duhet zgjidhur në diskutim me qeverinë.
“Është çështje penalistësh dhe doktorinës se çfarë quhet vrasje, kur është me dashje apo pa dashje. Duhet ta zgjidhin profesionistët se a quhet vrasje apo jo. Nuk mund ti përziejmë jo dhe nuk mund ti përziejmë me figura të tjera.
Ne e kemi rritur nivelin e dënimit dhe me këtë qasje i jemi afruar rëndimit të pozitës së personit që bën shkelje duke qarkulluar pa patentë dhe me shpejtësi tej limitit rrugor dhe kur ka sjellë pasojë vdekjen, është para Kodit Penal është njësoj si vrasës. Pak rëndësi ka si e quajmë.
Për armëmbajtjen pa leje duhet bërë më shumë dhe duhet një diskutim shoqëror sesi të heqim armët nga duart e shqiptarëve. Është përtej ministrit dhe qeverisë. Do të bëjmë një diskutim të hapur për këtë gjë, se kush është qasja më e mirë.”, tha Çuçi.