LSI vijon të jetë partia më e shqetësuar nga reforma në drejtësi. Javët e fundit presioni ndërkombëtar është rritur, pasi ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka lëshuar mesazhe të forta si për drejtësinë ashtu dhe për politikën që të ecin para me reformën në drejtësi.
Madje ajo në fundjavë e bëri të qartë se pret nga SPAK më shumë rezultate. Në kuadër të angazhimit ndërkombëtar ka ardhur dhe reagimi i LSI. Nënkryetari i saj, Petrit Vasili i është rikthyer betejës së vitit 2017 kundër Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ai ka publikuar disa shkresa kur ishte ministër i Drejtësisë, ndërsa kritikon qeverinë, ONM dhe madje ndërkombëtarët.
Vasili thekson se instancat e larta ndërkombëtare janë paralajmëruar se prezenca e faktorëve politikë brenda Bordit Administrativ do të cenonte përmbushjen e detyrave të ONM. Me dokumente zyrtare dhe ligjore ndërkombëtareve iu është bërë me dije se devijimi i marrëveshjes nga Kushtetuta e vendit do të sillte vonesa dhe probleme në realizimin e objektivit të OMN.
Sipas Vasilit, Ministria e Drejtësisë asokohe ka këmbëngulur gjatë në zbatimin e ligjeve dhe neneve të Kushtetutës në veprimtarinë e ONM, por duket se përsëri ndërkombëtarët kanë vendosur të heshtin. Duke i cilësuar si prova të rënda, dokumentet që LSI disponon, Vasili u ka bërë thirrje instancave ndërkombëtare të rishqyrtojnë dokumentet për të arritur në një vendim në kuadër të situatës aktuale të reformës në drejtësi.
Teksa hedh akuza mbi autoritetet ndërkombëtare lidhur me çështjen e ONM, Vasili i drejtohet me tone të ashpra edhe qeverisë. Sipas tij, nga ana e saj nuk ka pasur asnjë reagim pas provave dhe dokumenteve të paraqitura nga LSI. “Ndërkombëtarët dhe qeveria e rilindjes u demonstruan thellësisht refraktare dhe refuzues që të reflektonin lidhur me këto shqetësime të forta parimore dhe të bazuara në Kushtetutë e Ligj.
Për pasojë ONM u përball që në fillim e deri sot me përbuzjen e mazhorancës rilindase, e cila realizoi kapjen e drejtësisë dhe deformimin e rëndë të qëllimit dhe përmbajtjes së reformës në drejtësi”, shprehet Vasili.