Euro 2020 mund të cilësohet si Europiani i rezultateve surprizë dhe një nga aktivitetet më të paparashikueshme ndërkombëtare. Nga gara kanë dalë që tani disa nga ekipet kryesore e që shiheshin si pretendente për t’i shkuar deri në fund garës.
Kur u hodh shorti, të gjithë ishin të bindur se Grupi F i Europianit do të kishte në përbërjen e tij një nga skuadrat finaliste, për të mos thënë fituesen e aktiviteti. Ai u quajt “grupi i vdekjes” sepse kishte në radhët e tij Francën si Kampione Bote, Portugalinë si Kampione Europe dhe Gjermaninë që është gjithmonë pretendente për trofe.
Të tre ekipet ia dolën që të kalonin fazën në grupe, por për çudinë e të gjithëve, asnjë nga skuadrat nuk kaloi në turin tjetër. Gjermania sot ndoqi fatin e Portugalisë dhe Francës, të cilat u eliminuan në ditët e mëparshme të turneut e tashmë nga “grupi i vdekjes” nuk ka më asnjë përfaqësues në garë.
Ndërkohë, për herë të parë në histori, në çerekfinale nuk do të jetë as Kampionia apo Nënkampionia e Botës në fuqi dhe as Kampionia apo Nënkampionia e Europës në fuqi. Një rezultat i papritur i prodhuar nga ky aktivitet, që po tregohet si një nga më të paparashikueshmit e të gjitha kohëve.