Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias sa i takon ligjshmërisë ose jo të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, rrezikon të nxjerrë jashtë loje presidentin Ilir Meta.
Pak ditë më parë pas një seance maratonë, Kushtetuesja vendosi që të pezullonte procesin për çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa iu drejtua Venecias për një opinion sa më të specializuar. Por duket se trokitja në dyert e Komisionit të Venecias, pritet që të sjellë vonesa në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet lokale të zhvilluara dy vite më parë.
Gazeta e bëri me dije ditën e djeshme se referuar axhendës në faqen zyrtare të Venecias në internet, më 14-16 tetor 2021 do të mbahet mbledhja plenare e radhës dhe gjasat janë që në këtë mbledhje të shqyrtohet dhe kërkesa për 30 qershorin. Kjo do të thotë se në tetor Venecia merr vendim dhe më pas i duhen edhe pak kohë deri sa ta zbardhë atë, ndërkohë që në vijim “topi kalon në fushën” e Gjykatës Kushtetuese, e cila me shumë mundësi do të japë një vendim për 30 qershorin në fund të vitit.
Kështu që nisur nga kjo analizë dhe strategji e ndjekur nga Kushtetuesja, fati i 30 qershorit pritet të vendoset pas vendimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Për këtë të fundit nëse do të qëndrojë ose jo në detyrë, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë në fund të muajit korrik, ose në fillim të shatorit.
Mirëpo nëse Gjykata Kushtetuese vendos të shkarkojë Metën nga detyra, zgjedhjet vendore të parakohshme, gjithmonë nëse edhe për këto gjykata më e lartë në vend vendos që të anulojë ato të 30 qershorit, pritet që datën e zgjedhjeve ta dekretojë presidenti i ri që do të pasojë ish-kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim në krye të Presidencës.
Pra, nëse supozojmë që Kushtetuesja do të marrë vendim që të shkarkojë Ilir Metën nga detyra dhe do të anulojë “vendoret” e 2019, zgjedhjet e ardhshme lokale pritet të dekretohen nga presidenti i ri. Dyshimet janë s kjo ka qenë dhe një strategji e amerikanëve për të fituar kohë nga Kushtetuesja dhe për të larguar Metën nga një proces i tillë vendimmarrës.
30 qershori, shkakton debate
Megjithatë, ligjshmëria ose jo e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit është shndërruar në “mollë sherri” në vend mes radhëve të politikanëve, juristëve dhe presidenti Ilir Meta. Fillimisht ka qenë mazhoranca, e cila zgjedhjet e 30 qershorit, i cilëson të drejta dhe se për të faji është i opozitës që i bojkotoi ato.
Ndërsa nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike dhe kryetarja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Voltana Ademi kërkojnë zgjedhjet të parakohshme vendore.
Madje, ishte zonja Ademi ajo që çoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit 2019, duke kërkuar që të shpallet pavlefshmëria e tyre, ndërsa në një prononcim për mediat pas vendimit të Kushtetueses për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias, kërkoi që çështja në fjalë të mos zvarritet, pasi sipas saj, është shumë e rëndësishme.
Ndërkohë nga ana tjetër edhe presidenti Ilir Meta kërkon përsëritjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, pasi sipas tij, në 30 qershor qytetarët nuk kishin alternativë zgjedhjeje.