Belgjikë-Itali mund të ishte edhe finalja e Euro 2020, por njëra prej përfaqësueseve duhet të lërë turneun pas çerekfinaleve. Të premten në mbrëmje në Munchen, skuadra e Roberto Mancinit sfidon atë të Roberto Martinez, ndërsa dy trajnerët luftojnë me kohën për të rikuperuar pjesë të rëndësishme të formacionit.
Ankthi është më i madh në krahun e belgëve për gjendjen fizike të dy futbollistët Kevin De Brune dhe Eden Hazard. Të dy yjet e mesfushës së “Djajve” lanë fushën të dëmtuar në ndeshjen ku Belgjika eliminoi Portugalinë, por gjatë ditëve të fundit të dy lojtarët kanë pasur përmirësime.
De Brune duket më i gatshëm për ta nisur si titullar ndërkohë që për Hazard, shanset që të jetë në fushë nga minuta e parë janë 50%.
Lajme pozitive ka tek “axurrët”. Chiellini prej ditësh i është bashkuar stërvitjes me grupin dhe është provuar në disa skema me titullarët nga trajneri Mancini. Në fushën stërvitore është shfaqur edhe Alessandro Florenzi, i dëmtuar prej ndeshjes hapëse të Italisë kundër Turqisë.
Mbrojtësi i PSG mund të jetë i gatshëm vetëm nëse Italia do t’ia dalë të arrijë në gjysmëfinale. Gjithsesi, Acerbi dhe Bonucci, dyshja e mbrojtjes janë në avantazh për ta nisur prej fillimit supersfidën kundër Belgjikës.