Vendimi i Departamentit të Shteti për të shpallur të padëshiruar ish-kryeministrin Sali Berisha ka qenë objekt i takimeve të Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Philip Reeker në Tiranë.
Ai u takua me kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Basha, por përtej shumë çështjeve është folur dhe për fatin e ish-kryeministrit. Vetë ambasada amerikane në njoftimin e shpërndarë për mediat, është kujdesur të theksojë se Reeker e ka bërë të qartë se Neni 7031(c) (neni sipas të cilit Berisha u shpall non grata), është shumë i rëndësishëm për SHBA.
Ai e ka bërë të qartë se presidenti Biden e ka marrë shumë seriozisht luftën ndaj të korruptuarve në Ballkan. “Përgjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari në Detyrë Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë.
Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”, tha ambasada.
Fakti që Reeker ka ardhur në Tiranë për luftën ndaj korrupsionit dhe emrat “non grata” është një sinjal se SHBA po kërkon ndëshkimin e Berishës. Fakti që kjo temë është prekur dhe në takimin me Bashën, po ashtu është një sinjal se SHBA nuk e do Berishën as në Parlament dhe dyshimet janë se i është bërë e qartë kjo gjë liderit demokrat.
Neni 7031/c
Vendimet e amerikanëve për të shpallur të padëshiruar zyrtarët e korruptuar bazohet në ligjin për buxhetin. Në sesionin 7031/c, përcaktohet qartë se Sekretari Amerikan i Shteti kur ka prova mund të shpallë “non ngrata” një person të përfshirë në afera.
“Zyrtarët qeverive të huaja dhe anëtarët e familjes së tyre, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë të përfshirë në korrupsion, përfshi dhe për nxjerrjen e burimeve natyrore, apo shkeljen e të drejtave të njeriut, u ndalohet hyrja në SHBA. Sekretari informon gjithashtu publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e afërt të familjes, për të cilët ka informacion të besueshëm, nëse kanë aplikuar për vizë”, thuhet në ligj.
Më tej përcaktohet se është po vetë Sekretari ai, i cili vendos të tërhiqet nga ky vendim, pro kjo vetëm në dy aspekte. Së pari nëse heqja e penalizimit për individin do të sjellë interesa të mëdha kombëtare për SHBA ose me kalimin e kohës kanë ndryshuar rrethanat për përfshirjen e individit në fjalë në korrupsion.
Pra me pak fjalë, vendimi i marrë nga Departamenti i Shtetit më 19 maj të këtij viti, pritet të mos ndryshojë për një kohë shumë të gjatë, pavarësisht tentativave të ish-kryeministrit për të paditur zotin Blinken. Ligji e përcakton qartë se Sekretari nuk ka nevojë të ketë një dokument konkret në dorë, por i mjafton vetëm një informacion, të cilin ai e cilëson të besueshëm dhe e merr vendimin për të shpallur “non grata”.