Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje padinë e aleatëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkojnë shfuqizimin e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor.
Më konkretisht, krerët e Partisë Agrare Ambientaliste, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane të Shqipërisë, kërkojnë nga Kushtetuesja që të heqë sanksionin në ligjin aktual, i cili thotë se nëse një parti politike nuk ka një deputet në Kuvend ajo përjashtohet nga mbështetja financiare.
Por Gjykata Kushtuese ka vendosur që të rrëzojë kërkesën e aleatëve të PD, duke lënë të pandryshuar rregullat aktuale. Lajmin e ka bërë me dije vetë Kushtetuesja në faqen e saj zyrtare.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 17.06.2021 çështjen me kërkuese Partinë Republikane të Shqipërisë, Partinë Agrare Ambientaliste, Partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor:
“Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese VENDOSI: Rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë që në rregullat e mëparshme, nëse një parti fitonte 20 mijë vota, por nuk merrte mandat përfitonte financiarisht. Por me rregullat aktuale nëse një parti politike nuk ka një deputet në Kuvend, ajo përjashtohet nga mbështetja financiare.