Kuvendi do të mbyllë punën më datë 7 korrik. Konferenca e Kryetarëve është mbledhur duke miratuar kalendarin e punës për javën që vjen, ku përcaktohet se 7 korriku do të jetë dita e fundit për këtë sesion parlamentar.
Ajo që bie në sy është se, mazhoranca do të kalojë dy vendime të rëndësishme pa pritur opozitën. Konkretisht në kalendarin e punës thuhet se do të miratohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të AMA dhe do të zgjidhen anëtarët zëvendësues të vetingut.
“7 korrik ora 10:00 do të shqyrtohen çështjes si; Projektvendim “Për zgjedhjen e anëtarëve zëvendësues për pozicionet Komisioner të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisioner Publik”, si dhe projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive””, thuhet në dokument.
Sigurisht në atë ditë do të shqyrtohen edhe disa projektvendime të tjera të rëndësishme, që mazhoranca e ka gjykuar të nevojshme të miratohen sa më parë, pa pritur ardhjen e opozitës në Parlament për sesionin tjetër. Ndërkohë, ditën e djeshme Kuvendi, në drejtimin e kryetarit Gramoz Ruçi, u mblodh miratoi tri projektrezoluta, tre akte normative, gjashtë projektligje dhe një projektvendim.
Kuvendi miraton rritjen e borxhit publik
Në seancën e djeshme plenare janë miratuar dy aktenormative, të cilat sjellin rritjen e borxhit publik në vend. Konkretisht u miratua me 81 vota pro, 9 kundër dhe 5 abstenim aktinormativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, që propozon disa ndryshime në ligjin organik të buxhetit, pra që mos të jetë si detyrim reduktimi i borxhit përgjatë viti 2021.
Gjithashtu, u miratua me 82 vota pro, 9 kundër dhe katër abstenim aktinormativ “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar”, ardhur nga nevoja për vijimin e vaksinimit masiv të popullsisë si përgjigjja më emergjente ndaj situatës pandemike. Edhe ky projektligj kërkon shtimin e nivelit të shpenzimeve me 11.8 miliardë lekë si dhe marrjen e një bonusi prej 500 milionë eurosh, veprime që çojnë në rritjen automatike të borxhit publik.
Kalon marrëveshja për furnizimin me “Pfizer”
Kuvendi ka miratuar ditën e djeshme me 89 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim aktin normativ “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin”, i cili bënte të mundur miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Overseas LLC dhe Ministrisë së Shëndetësisë me anë të së cilës alokohen një sasi dozash të vaksinës “Pfizer”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, për këtë arsye janë bërë edhe shtesat e fundit në buxhet, pas diskutimeve të bëra me Ministrinë e Financave. Mazhoranca është treguar e prerë që të vijojë me ritme të shpejta vaksinimin e popullsisë.