Shumë gola në javën e fundit të Bundesligës, dikush ka festuar, dikush në lot dhe plot emocione të tjera. Në fillim duhet thënë se Bayern Munchen u shkatërrua brenda në “Allianz Arena” nga Stuttgart me rezultatin 4-1. Heynckes kishte futur në fushë thuajse të gjithë titullarët, por mesa duket, të pamotivuar, ndaj një Stuttgart që nuk luante për asgjë.
HSV Hamburg, ekipi që nuk e kishte provuar ndonjëherë shijen e kategorisë së dytë, më në fund do ta provojë veten në Bundesliga 2 sezonin e ardhshëm. Megjithëse fitoi ndeshjen ndaj Borussia Monchengladbach, nuk mjaftoi për të siguruar një vend “play-off”, pasi Wolfsburg ka mposhtur FC Koln.
Kishte vite që Hamburg i vërtitej rënies dhe tani duhet të përballet me realitetin se nuk mund të krenohet më me faktin se nuk ka rënë ndonjëherë në kategorinë e dytë. Teksa kishin mbetur edhe dy minuta lojë, tifozët e Hamburg nuk e kanë kontrolluar veten dhe kanë djegur stadiumin, duke detyruar forcat e shumta policore të futen në fushë për rreth 15 minuta derisa situata të qetësohej.
Ndërkohë, Borussia Dortmund duhet ta konsiderojë veten me fat, pasi, megjithëse humbi 3-1 ndaj Hoffenheim, ka siguruar një vend mes katër më të mirëve, duke u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm.
Ekipi që doli humbës nga kjo situatë ishte Leverkusen, që megjithëse fitoi 3-1 ndaj Hannover, për shkak të golavarazhit, është renditur vetëm në vendin e pestë.