Kryeministri i vendit, Edi Rama ka zgjedhur t’i urojë mirëmëngjes ndjekësve të tij në “Facebook” duke ndarë një projekt madhor që do të realizohet brenda 2019-s, në kryeqytet.
Ai ka bërë të ditur se 2019 do të jetë viti kur do të përfundojë Terminali Lindor i Tiranës në Farkë, një stacion modern i autobuzave ndërurbanë dhe ndërkombëtarë në kryeqytet. Kryeministri ka bashkangjitur edhe një video ku përcillen pamjet sesi do të jetë terminali.
“MIRËMËNGJES, dhe me këtë projekt që brenda vitit 2019 do të bëhet Terminali Lindor i Tiranës në Farkë, një stacion modern i autobuzave ndërurbanë dhe ndërkombëtarë në kryeqytet, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Por, si do të funksionojë ky terminal?
Më herët, kryetari i bashkisë së Tiranës ka bërë të ditur se në Farkë do të ndërtohet terminali lindor i autobusëve, si një mënyrë për të disiplinuar trafikun e Tiranës dhe për të shmangur ndotjen që shkaktojnë automjetet.
Terminali lindor i autobusëve do të shërbejë për zonat e juglindjes së Shqipërisë, Pogradeci, Korça apo veriu i Greqisë.
Bashkia e Tiranës e ka menduar këtë projekt si një mënyrë për të disiplinuar trafikun në Tiranë dhe për të shmangur skenat e shëmtuara që shkakton trafiku dhe ndotja në qytet.
Përmes një terminali në zonën e Farkës jo vetëm disiplinohet trafiku, por i kthehet edhe një vlerë kësaj lagjeje të re të Tiranës, duke u siguruar një sistem modern të disiplinimit të të gjithë transportit publik në qytet.