Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur ose shkurt RENEA të cilat janë forcat më elitare policore të Shqipërisë kanë dalë sot ‘blof’, pasi një person i shpallur në kërkim, Altin Gega, ka arritur që tu dështojë operacionin e organizuar për kapjen e tij, në momentin që ata kishin planifikuar t’i vinin prangat.
Efektivët shkuan në zonën e “Varri i Bamit” në Tiranë, pasi një prej efektivëve të policisë ishte infiltruar në një grup dhe supozohej që do të blinte një sasi kokaine.
RENEA ka ndërhyrë në momentin e shkëmbimit të kokainës me paratë për të vënë në pranga anëtarët e grupit, por në këtë çast, Altin Gega bashkë me dy shokët e tij janë futur në një makinë të llojit “Mercedes Benz”. Tetë efektivë, disa prej tyre të maskuar, i bënë thirrje që Gega të hapte derën e makinës dhe të dorëzohej para tyre, por ai dukej se nuk kishte ndërmend.
“Hape derën, hape xhamin! Hape derën të thashë! Policia hape derën! Hape makinën! Hape derën more b**q**,”– dëgjohet të thonë në video efektivët, por personi për të cilin ishte organizuar operacioni, nuk u bind. Altin Gega shtypi gazin dhe u largua me makinë bashkë me dy shokët e tij, njëri me mbiemrin Prenga, 1 kilogramë e 128 gramë kokainë, duke iu lënë pas targën efektivëve, të cilët më pas “kapën me sukses” një gazetar.
Bëhet fjalë për gazetarin Ergys Gjençaj, i cili ndodhej në zonë gjatë zhvillimit të aksionit. Me ta parë, efektivët e shtrinë në tokë, pasi Gjençaj po filmonte. Thirrjet e koleges së gazetarit, Klodiana Lala nuk i bindën efektivët që ta lëshonin Gjençajn. Ata e shtrinë në tokë dhe nisën të përplaseshin me fjalë me Lalën. “O zotëri është gazetar ai djali!”- u tha Klodiana Lala, por efektivi i tha: Keni ardhur në momentin e ndërhyrjes. Vini na pengoni.
Gazetari u lirua pas verifikimeve dhe efektivët u kthyen në detyrën e tyre ‘të parë’ në atë të të kapjes së keqbërësëve dhe u vuën në ndjekje të personit që u ‘la targën’. Altin Gega u vu në pranga bashkë me dy shokët, disa orë pas ndjekjes, dhe akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Gjithashtu në pranga janë vënë dhe dy persona të tjerë, të cilët u pikasën në një lokal teksa monitoronin ‘pazaret’ e shokëve të tyre.
Policia e Tiranës nuk ka ende një njoftim përfundimtar në lidhje me këtë operacion. Në një informacion paraprak, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bëri me dije sekuestrimin e kokainës. Në njoftim thuhej se ka disa të shoqëruar, mes tyre dhe Gega, por që operacioni është ende në vijim dhe nuk mund të kishte një deklaratë përfundimare.
Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me këtë operacion. Bashkë me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, do të verifikohet nëse ka tejkalim kompetencash nga agjentët e Policisë së Shtetit, sa i përket veprimeve me gazetarin e News 24. Vetë gazetari Gjençaj dhe kolegia e tij Klodiana Lala e konsideruan të patakt ndërhyrjen e policisë mes tyre. Lala tregoi se ishte shumë e shqetësuar pasi po e mbanin shumë kolegun e saj, kur e vetmja gjë që po bënin ishte puna e tyre, raportimi. /dosja.al