I emëruari i Presidentit Biden si ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, Donald Lu tha para senatorëve në komisionin e jashtem se iu ishte mirënjohës Presidentit dhe Sekretarit Blinken për besimin që i kishin dhënë.
Lu premtoi se do të vijonte betejën e tij ndaj terrorrizmit dhe korrupsionit edhe në Azi.
“Si bir i një emigranti në Shtetet e Bashkuara, jam veçanërisht krenar që i shërbej vendit tim për 30 vite në Shërbimin e Jashtëm dhe Korpusin e Paqes. Gjatë këtyre viteve kam punuar në avancimin e axhendës sonë në antiterrorizëm, demokraci dhe anti-korrupsion”.
Lu tha se nëse konfirmohet në këtë detyrë të lartë në Departamentin e Shtetit do të punonte për t’i bërë Shtetet e Bashkuara një partner të besueshëm për qeveritë dhe popujt e Azisë Qendrore dhe asaj Jugore.
“Në Afganistan, unë fillova karrierën time duke punuar në kufirin afgan në Veri. Me vendimin e Presidentit për të tërhequr trupat amerikane nga Afganistani deri më 11 Shtator, ne përballemi me rreziqe të reja. Unë kam një angazhim të thellë për të inkurajuar paqen, sigurinë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave dhe vajzave”.
Lu premtoi që të punojë ngushtë edhe me Indinë si prodhues i 60% nga vaksinat në botë, për t’i dhënë fund pandemisë shkatërruese të COVID-19.
Pas dëgjesës, ish-amabasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu i emëruar si ndihmës sekretar të shtetit për Azinë Jugore dhe Qendrore, post ky vakant që nga Janari 2017, pret konfirmimin nga senati.