Drejtori i Fondit Eduard Ahmeti:
-Jo kërkesave që prekin parimet e pacënueshme në interes të sigurisë së pacientëve”
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lajmëroi sot arritjen e marrëvëshjes me Urdhrin e Farmacistëve për disa çështje kontraktuale, të cilat ishin kërkesa ndër vite të subjekteve farmaceutike. Por FSDKSH nuk ka dhënë dakordësi për ato çështje të cilat cënojnë parimet mbi të cilat bazohet Fondi: Siguria e barnave për pacientët.
“Pas bisedimeve disa ditore që kemi kryer me përfaqësuesit e Urdhërit të Farmacistit, ne kemi mbërritur në një të mesme të përbashkët. Ka patur dakordësi dhe mirëkuptim, si dhe lëshime aty ku ishte e nevojshme dhe ku nuk prekeshin ato që ne i konsiderojmë parime të pacënueshme, në interes të pacientëve që përfitojnë nga rimbursimi I barnave”, deklaroi drejtori I Fondit, Eduard Ahmeti.
Duke vlerësuar frymën e bashkëpunimit, në funksion të një ecurie normale të punës për të dyja palët, drejtori i FSDKSH u shpreh:
“E rëndësishme është që palët të sqarohen dhe të kuptojnë qartë të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë, që janë të drejta dhe detyrime reciproke të sanksionuara prej vitesh në këto marrëdhenie, dhe për hirë të vërtetës nuk e kanë penguar procesin kontraktual, përkundrazi e kanë disiplinuar”.
Drejtori I FSDKSH deklaroi se ky institucion “Do të vazhdojë përpara me të vetmen “busull” që ne kemi: Sigurmin e barnave të sigurta, me kosto/efektivitet dhe në kohë për qytetarët”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me pikat e negociuara, drejtori I Fondit u përgjigj:
“Ne kemi dakortësuar disa kërkesa të farmacistëve, të cilët kanë qënë në fakt të bëra ndër vite, një pjesë të të cilave i kemi marrë parasysh, por Fondi është i vendosur për pacënueshmërinë e parimeve ku ai bazohet në përmbushjen e misionit të tij. Dera e Fondit do të jetë e hapur për çdo diskutim që jo vetëm farmacistët mund të kenë në të ardhmen. E rëndësishme është që të garantojmë pacientët, për rimbursimin e barnave të listës”.