Nga Bedri Islami
Që nga 18 dhjetori i shkuar Shqipëria ka një Prokurore të Re të Përgjithshme, megjithëse ajo është e përkohshme.
Quhet Arta Marku dhe do të ishte njëra ndër befasitë e para, ndoshta më e rëndësishmja e procesit të madh që ka nisur për reformimin e drejtësisë.
Nëse disa muaj para 18 dhjetorit dikush do të kishte shkruar se një ditë kryeprokurore, qoftë edhe e përkohshme, do të jetë Arta Marku, deri asaj kohe në një qytet përgjithësisht të qetë, në Pukë, dhe pa pasur në duart e saja, pra në gjykimin e saj hetimin e çështjeve të nxehta, do të kishte qenë një mision i pamundur, edhe mendimi.
Edhe kur ajo paraqiti kandidaturën e saj për vendin që së shpejti do të ishte i lirë, ai i Llallës, edhe më pas, kur doli para Komisionit të Posaçëm, përsëri pak kush do e kishte menduar. Më vonë u gjetën alibitë në punën e përbashkët që kishte pasur dikur me Ulsi Manjën, dikur shef prokurorie në Shkodër, apo si bashkëstudente me figura të njohura të së majtës. Pak kush mendoi përse deri asaj dite, edhe pse në këto “lidhje shoqërore” ajo kishte mbetur në një rreth të vogël, ku problemet nuk kanë qenë aq të përplasshme.
Sidoqoftë, ajo është tani, po bëhen pesë muaj që ajo po drejton Prokurorinë e Përgjithshme. Më tepër se sa një zgjedhje e politikës shqiptare, si duket, zonja Marku ishte një gjetje e përtej oqeanit në marrëveshje me strukturat e veçanta të kontinentit të vjetër.
Si më tha një njohës i vjetër i saj, edhe ai në sistemin e drejtësisë, pas pamjes së ftohtë të kryeprokurores, është një mendim i qartë, i sigurtë dhe që nuk mund të merret nëpër këmbë. Një njeri që nuk ka bërë kurrë kompromise në jetën e saj, nuk do të bëjë as në detyrën e saj.
Socialistët kishin qenë të vonuar në largimin e Llallës, megjithëse ligjet nuk e lejonin heqjen e tij. Ndoshta një ditë mund të pendohen që zgjodhën Markun, por kjo është për një kohë tjetër.
Emërimi dhe detra e saj mund të shikohet në tri pamje të ndryshme:
Pamja e parë: Opozita.
Duhet pranuar se, kushdo që të kishte qenë i propozuar nga shumica qeverisëse në detyrën e kryeprokurorit të Republikës, në vend të Llalës, do të ishte refuzuar dhe do të ishte përbaltur.
Kjo ka ndodhur gjithherë në të dy kampet. Asnjë emërim nuk është parë pa dyshimin e ligjëruar nga koha, pasi gjithnjë emërimet, sidomos në drejtësi, janë parë si një kamxhik në duart e qeverisë kundër opozitës dhe, si një përkëdhelje në faqet e qeverisë. Këtë e kishte bërë gjithnjë opozita kur kishte qenë në pushtet dhe për të ishte e ligjshme që të mendohej edhe më tej kështu.
Në rastin e Arta Markut qëndrimi i opozitës ka shkuar nëpër disa faza.
Fillimisht ishte hutimi. Ajo vinte nga një shtresë politike , e cila nuk kishte asnjë lidhje me regjimin e shkuar. Për më tepër, familja e saj, në dy anët kishte qenë e ndjekur, persekutuar, e zhvatur nga pronat dhe e terratisur në një kohë të dhunshme. Për më tepër, ata ishin mbështetës së Partisë Demokratike, që nga fillimi, një nga pjesëtarët e saj kishte qenë deputete e opozitës, dhe në krahinën nga vinin, sidomos në Mirditë dhe në thellësitë e Pukës, kishin ndikim të ndjeshëm.
Kalimi i saj u prit në heshtje, pasi ende nuk kishin asnjë ngrehinë që mund të hidhnin mbi të. Kishin vetëm faktin se duke qenë disi e panjohur, nuk mund të sulmohej dhe, së dyti, duke qenë nga krahu i tyre politik, nuk mund të kontrollohej e shkuara, si ndodh rëndom n politikën tonë.
E vetmja thirrje që i bënë asaj, sidomos nga çupëlinat, ishte që të mos lejonte që emri i saj të vihej në një krah me shumicën qeverisëse. Kjo ishte fillimisht maja e sulmit ndaj asaj që po merrte besimin e shumicës.
Përmes tymit, çizmeve, përplasjeve, sharjeve, tentimit për një grusht pallati, denoncimeve, të vërteta e m shumë të rreme, zonja Marku, pasi ngriti dorën dhe e vendosi mbi Kushtetutë, tha vetëm një “ Betohem”, dhe shkoi.
Për të tjerët shfaqja kishte mbaruar, por kjo është edhe pika e kthesës në qëndrimin ndaj saj.
Zonja Marku ndërmori hapat e para reformuese, ku ndalimi kishte qenë më i ngarkuar. Spostoi disa njerëz dhe dërgoi të tjerë, ngriti një strukturë më efikase dhe hoqi atë që mund të quhet “mbulesa juridike e krimit”.
Për opozitën, gjithçka që ndodhte e sidomos gjithçka që mund të ndodhte, ishte prishja e tabusë, aq më tepër pasi ajo po vinte nga një njeri që mendohej se kishte qenë i tyre.
Nga thirrjet e zakonshme për mos kandidim, për pesë muaj, për të disatën herë, është kaluar në kërcënime të hapura, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e jetës së saj.
Opozita, si duket, duke mos e mbajtur marazin deri në fund, pasi shumë petë po hiqen nga lakrori i krimit, tani e shpall atë, jo vetëm vegël të bindur të Ramës, por edhe e kërcënon se do të përballet me furinë e ligjit, do të mbajë përgjegjësi, do të jetë precedent i gjykimit etj., etj.
Për këdo tjetër do të ishte e vështirë: për zonjën Marku, si duket ka qenë e pritur, megjithëse besoj se jo deri në këtë shkallë. Kërcënimi i hapur i dy liderëve të opozitës, me një gjuhë halabakësh modernë e arkaikë, mllefi i vërshuar ndaj saj, vërshimi në mediat pranë opozitës i një sulmi që nuk njeh ndalesë, po bëhen gjithnjë e më të furishme, dhe, të paktën deri tani, askush nuk e di se cili do të jetë fundi.
Pse u zemërua opozita kaq shumë me Arta Markun?
A do të zemërohej ajo edhe një kryeprokuror tjetër, po aq sa edhe në këtë rast?
Arta Marku shihet prej opozitës si një devijim nga rregulli i përgjithshëm i perceptuar prej tyre. Sipas kësaj mendësie, edhe nëse je pinjoll i shkallës së tretë apo i së dhjetës në një familje të dënuar politikisht, domosdo duhet të jesh në krahët e opozitës, pjesë e saj dhe vazhduese e një tradite që është krijuar në mendimin e saj: ose me mua, ose kundër meje.
Të jesh me ligjin, në fakt do të thotë të jesh kundër saj. Kundër opozitës. Ky ishte zemërimi i parë i cili solli edhe humbjen e qetësisë.
Opozita u mllefos dhe do të jetë shumë kohë e mllefosur me zonjën Marku pasi veprimet e para të saj, por edhe të tashme, po krijojnë në shumë institucione mendimin se ka filluar shkëputja e drejtësisë nga thundrat e politikës.
Ajo ndërmori disa nga aktet e para që dëshmonin se do të kishte një ecje ndryshe, e cila, edhe pse do të prekte shkallët e politikës, nuk do të kishte ndryshim. Largimi i zotit Gina nga drejtimi i prokurorisë së Elbasanit, zonjës Gashi nga detyra e saj, disa lëvizje të tjera jo të pamenduara më herët, të çonin drejt mendimit se ajo që kishte thënë në paraqitjen e saj të parë, se “ prokuroria ka probleme të mëdha”, nuk kishte qenë një fjalë e pamenduar dhe se ajo po shkonte në detyrën e saj me mendim të duhur.
Prova e opozitës, për t’i dhënë një “dajak” zonjës Marku , përmes kalimit të saj nga Zonja Gashi, si të mos ishte aty ose për të dhënë mesazhin se koha e Llallës vazhdon, mori një përgjigje të papritur.
Opozita është e mllefosur me “ deviatoren” e saj, pasi e ndjen se prokuroria nuk është më në atë shkallë e varur nga vetë ajo.
Se si ka qenë prokuroria janë të mjaftueshëm shembujt e tashëm: një katarsis është i pamjaftueshëm. Duhen shkoqitur gjërat. Duhet mendim ndryshe, edhe pse i pashprehur me fjalë të bukura. Si duket, të parët që e kuptuan se koha e fjalëve për “operacionet e vjeshtës” të Llallës, mbaruan.
Largimi i Hajdarmatajt nga posti i tij ishte guri i fundit i deritashëm i tërbimit politik. Koha edhe e kërcënimeve më të mëdha ndaj zonjës Marku. Tashmë, megjithëse u munduan të ruhen disi, shpërthimi kundër saj është bërë i pandalshëm dhe radikal deri në fund, duke thyer edhe ligjshmërinë e përcaktuar të vendit, thyerje, për të cilat, kudo në botën e qytetëruar do të ishin përgjigjur jo lehtë.
Deri ku do të shkojë mllefi dhe tërbimi i opozitës ndaj zonjës Marku?
A do të ketë thyerje të saj dhe risjellje e mbivendosjes së politikës mbi drejtësinë?
Çfarë kohërash e presin Arta Markun?
Po familjen e saj?
A do të ketë thyerje në mendimin e njerëzve të saj të afërt, të cilët, në fillimet e vitit 1990 besuan se erdhi koha që kishin dashur, e së drejtës, barazisë, besimit dhe ligjit?
Çfarë mund të ndjejnë ata kur gjithçka u përmbyset para syve dhe bijës së tyre u mvishet një mllef që ata e kanë ndjerë mbi vete në një kohë tjetër?(Dita)