Prokuroritë e rretheve vijojnë që të amnistojnë gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting. SHBA, BE dhe qeveria kanë kërkuar prej muajsh që të hetohen të ngelurit në veting, por shumica prej tyre vijojnë që të shijojnë pasuritë.
SPAK ka vënë nën hetim rreth 28 ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, ndërsa për anëtarët e gjykatave si asaj të Apelit dhe të Shkallës së Parë hetimet duhet që të hapen nga prokuroritë e rretheve. Nëse i referohemi raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, vetëm 7 njerëz të drejtësisë janë nën hetim për korrupsion aktiv dhe pasiv, çka do të thotë se nuk kemi asnjë procedim konkret për emrat e shkarkuar nga vetingu.
Ndërkohë SPAK duket e vendosur, por që nuk po gjen mbështetje nga prokuroritë e rretheve. SPAK ka nën hetim 28 persona dhe ka sekuestruar pasuritë e 3 prej tyre.
Ata janë Fatos Lulo (ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish-kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë). Nga hetimi penal i kryer për ta, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në pronësi të këtyre tre gjyqtarëve.
Thirrjet e SHBA dhe BE
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, më herët kanë bërë thirrje që të hetohen të gjithë të ngelurit në veting. Bashkimi Europian edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ndan bindjen se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga procesi i vetingut duhet të hetohen, gjykohen e dënohen nëse provohet se kanë shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.
Ishte ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila bëri thirrje për të ndëshkuar gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar procesin e vetingut. Në një reagim në Twitter, diplomatja amerikane shprehu dakordësinë se nëse gjyqtarët dhe prokurorët do të hetohen sipas saj, ky do të jetë një hap i mëtejshëm në reformën në drejtësi si edhe i pranimit në Bashkimin Europian.
“Nevoja për të hetuar korrupsionin gjyqësor, përtej vetingut, është përfshirë në kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për hapjen e bisedimeve të pranimit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadorja Kim. Po ashtu, edhe nga Bashkimi Europian, më herët është kërkuar që të hetohen të ngelurit në vetingut dhe se duhet që atyre t’u sekuestrohen pasuritë e paligjshme, për të parandaluar korrupsionin dhe krimin e organizuar./NGA SIDORELA BRAÇJA