9 zyrtarë të nivelit të lartë janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Ditët e fundit SPAK ka nisur një sërë aksionesh antikorrupsion në vend ku janë goditur disa drejtorë, ish-zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda dhe ish-kryebashkiaku i Lushnjes.
Por në duart e SPAK janë 9 dosje që prekin zyrtarë në niveleve të larta, si ministra, deputetë apo krerë bashkish. Nëse i referohemi raportit vjetor të SPAK, bëhet me dije se 9 persona janë në hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Por cilët janë funksionarët e lartë shtetërorë? Sipas Kodit të Procedurës Penale ata janë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtari i Këshillit të Ministrave, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, kryetari i bashkisë, deputeti, zëvendësministri, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe drejtuesit e institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj. Po ashtu në këtë kategori përfshihen dhe ish-zyrtarët që kanë mbajtur postet e mësipërme.
Sipas Kodit Penal ata rrezikojnë 4 deri në 12 vite burg. “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet”, thuhet në Kod.
Dosjet e tjera
Përveç zyrtarëve të lartë, SPAK ka në dorë dhe shumë dosje të tjera që futen te fusha e korrupsionit. Sipas informacioneve, janë 50 procedime penale për shpërdorim detyre, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal.
Po ashtu në SPAK janë 5 procedime për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga zyrtarë të lartë. Mes emrave në fjalë ka dhe deputetë. Sa u takon tenderave, janë 50 dosje që po hetohen nga SPAK. 2 duket se u zbardhën, por janë dhe shumë të tjera në proces dhe shumë ministri e zyra bashkie do të kalojnë në skaner. SPAK ka në dorë 30 procedime penale për korrupsion të personave që kanë funksione publike.
Ndërkohë kemi 5 procedime për korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe njerëzve të tjerë të drejtësisë. Ndërkohë 57 procedime janë për korrupsion pasiv të njerëzve të drejtësisë. Ndërkohë janë 12 procedime për mitmarrje. Pra janë rreth 200 procedime në duart e prokurorëve të posaçëm me qindra emra të kallëzuar dhe që po hetohen. Deri më tani i vetmi zyrtar i lartë i dënuar është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por dhe ai është në pritje të Apelit.
Ndërkohë mësohet se në duart e SPAK ka disa padi për disa deputetë, një për abuzime kur ka qenë ministër dhe një tjetër për fshehje pasurie. Ndërkohë të paditur janë disa ministra aktualë dhe funksionarë bashkish. Sinjalet janë se në vjeshtë SPAK do e ngrejë stekën e goditjeve.