Dalin në dritë të tjera skandale sa i takon gjyqit të Izet Haxhisë. Ekstradimi i tij në Shqipëri u pa si një lloj sinjali për të rihapur dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, por prej 3 vitesh procesi është përballur me shumë pengesa.
Më parë gazeta tregoi sesi po u bëhet shantazh dëshmitarëve, ndërsa sot po tregon manovrat gjyqësore që janë përdorur prej 3 vitesh. Në një prononcim për gazetën, avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri ka rrëfyer manovrat e gjykatës. Avokati deklaroi se procesi ligjor në vend që të ishte i rregullt degradoi në një farsë.
“Gjykimi i çështjes ndaj Izet Haxhisë, ndryshe nga angazhimet ligjore që Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë mori ndaj kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë për një proces të rregullt ligjor ndaj këtij shtetasi, i cili dha pëlqimin për t’u ekstraduar me qëllim rigjykimin e çështjes së tij nga fillimi, duke u marrë të gjitha provat që vërtetojnë krimin e kryer ndaj Azem Hajdarit dhe autorët e bashkëpunëtorët e vërtetë të kësaj vrasje, u degradua në një farsë të pështirë prej kësaj gjykate”, u shpreh avokati.
Ja sorollatjet e gjykatës
Nga ana tjetër avokati deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha, mesazhet e tij dhe njerëzit që ai futi në sulm për të mbrojtur një krim të tillë, bënë të mundur që trupa gjykuese të shpallte moskompetencë për gjykimin e çështjes. Sipas tij, një veprim i tillë solli sorollatje nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në Gjykatën e Lartë, duke e kthyer si çështje për gjykim përsëri në Gjykatën e Shkallës së Parë.
“Pas mesazheve të koduara që i dha me shpejtësi Sali Berisha trupës gjyqësore përmes Blendi Fevziut në TV Klan, si dhe pas hedhjes në sulme të disa gazetarëve, pjesë përbërëse e klanit të tij në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve potentë, siç është vetë Berisha, trupa gjykuese bëri aktin e parë të paprecedentë, shpalli moskompetencë për gjykimin e çështjes, në një kohë që ishte pikërisht Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë që kishte bërë gjykimin, për rrjedhojë duhet të bënte edhe rigjykimin.
Aq më shumë kur Gjykata e Apelit Tiranë, e cila prishi vendimin gjyqësor ndaj Izet Haxhisë dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes pikërisht në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë Tiranë. E sorollatën pa shkak çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe në Gjykatën e Lartë për një vit kohë dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e riktheu çështjen për të vazhduar gjykimin pikërisht në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, atje ku edhe kishte nisur rigjykimi”, deklaroi ai.
Avokati më herët bëri të ditur se Berisha ka tentuar të sorollatë çështjen dhe të bllokojë dëshmitë në mënyrë që të mos fundoset vetë. Sipas tij edhe truproja e Azem Hajdarit, Zenel Neza refuzoi të jepte dëshminë e tij si pasojë e presionit të ish-kryeministrit.