Kryeministri Edi Rama ka nisur përgatitjet për qeverinë e re.
Pak ditë më parë gazeta “SOT” zbuloi se kryeministri Edi Rama ka futur në skaner Partinë Socialiste, ku ministrat, deputetet e rinj dhe të vjetër, krerët e degëve dhe kryebashkiakët socialistë, do t’iu duhet të japin llogari sa i takon kontributit që kanë dhënë gjatë viteve të fundit për partinë dhe sidomos para e gjatë fushës zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Por tashmë kryeministri Rama ka marrë në dorë dosjet për ministrat, ndërsa bie në sy fakti se baza ka bërë valë kritikash për anëtarët e kabinetit.
Kështu, sipas informacioneve të gazetës, mësohet se armatat e të ashtuquajturve “patronazhistë” dhe besnikë të kryesocialistit Rama, kanë “spiunuar” tek ky i fundit me detaje sa i takon punës dhe angazhimeve të gjithsecilit para dhe gjatë fushatës zgjedhore sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Më konkretisht, burime nga selia rozë, pohuan se është analizuar puna e ministrave në të gjitha strukturat socialiste, në çdo qark dhe çdo organizatë në vend, teksa mësohet se për një pjesë të tyre ka shumë kritika.
Në këtë kontekst, mësohet se për secilin është shënuar në dosje se është treguara arrogant me qytetarët e zonës së tij elektoral dhe ka shkëputur kontaktet me bazën. Po ashtu mësohet se kritikat për ministrat që tashmë ndodhen të dokumentuara në dosje kanë ardhur edhe për faktin se kontributi i tyre gjatë viteve të fundit, e veçanërisht në zgjedhjet e 25 prillit ka lënë për të dëshiruar.
Gjithashtu, siç pohojnë të njëjtat burime mësohet se kritikat ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar, baza socialiste i ka lëshuar, duke u bazuara edhe në punën e çdo ministri. Më tej është krahasuar numri i votave që ka marrë secili në zonat e tij elektorale apo që iu ishte ngarkuar të monitoronin në zgjedhjet e 25 prillit, ku mësohet se për disa për tyre ka rezultat negativ. Pra, nisur nga këto të dhëna që tanimë ndodhen në tryezën e kryeministrit Rama, ka gjasa që një pjesë e ministrave aktualë pritet të mos jenë pjesë e qeverisë së re “Rama 3” që do të zbulohet gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe konstituohet e votohet në shtator.
Dosje për çdo emër para Asamblesë së PS
Por nga ana tjetër, gazeta ka mësuar se përveç ministrave, në tavolinën e shefit të qeverisë ndodhen edhe dosja për secilin nga deputetët e rinj dhe të vjetër, si dhe kryebashkiakëve socialistë. Mësohet se edhe për disa nga ligjvënësit aktualë dhe të rinj si dhe kryebashkiakët e PS, baza socialiste ka shfaqur valë kritikash, pasi i akuzon ata se po tregohen arrogantë dhe se kanë shkëputur çdo kontakt me qytetarët dhe bazën.
Madje, sikundër pohuan të njëjtat burime, mësohet se edhe qytetarët të thjeshtë që nuk janë anëtar parti kanë shfaqur kritika dhe rezerva për punën e kryebashkiakëve, të cilët në shenjë revolta i kanë dërguar qindra letra kryeministrit Rama nga të katra anët e vendit, duke e vënë në dijeni se ndodhen të tradhtuar, zhgënjyer me perfomancën e disa prej krerëve të bashkive dhe deputetëve. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.