Pas konfliktit të Këshillit të Lartë Gjyqësor me Ministrinë e Drejtësisë, ndërkombëtarët kanë marrë përsipër të ndërhyjnë dhe investohen në hartimin e hartës së re gjyqësore. \
KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë janë në konflikt me njëri-tjetrin prej vitit 2019, për shkak se Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkon që në Shqipëri të ketë vetëm 1 Gjykatë Apeli. Ndërkohë që ministria e drejtuar nga zonja Etilda Gjonaj, shprehet se vendi nuk është gati për të aplikuar këtë plan.
Për rrjedhojë konflikti mes këtyre dy institucioneve ka 2 vjet që është aktiv dhe për të sheshuar këtë mosmarrëveshje kanë hyrë në lojë ndërkombëtarët. Kjo gjë është bërë e ditur nga KLGJ në buletinin informativ për periudhën prill-qershor 2021.
Ndërkombëtarët marrin hartën e re gjyqësore
Më konkretisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor bën me dije se harta gjyqësore është një nga prioritet e tij kryesore, ndërsa zbuloi se për avancimin dhe bërjen realitet të kësaj iniciative po bashkëpunohet ngutësisht me partnerët ndërkombëtarë të atashuar në vendin tonë, si misioni Euralius, USAID dhe Këshilli i Evropës. “Faza aktuale në të cilën ndodhet procesi:
Ka përfunduar hartimi i raportit për Hartën Gjyqësore, dhe i është vënë në dispozicion Ministrisë së Drejtësisë, si palë bashkëpropozuese e Hartës Gjyqësore.
Në vazhdimësi, ky raport do të duhet të jetë objekt i një procesi konsultimesh edhe me palët e tjera të përfshira në këtë proces, siç janë; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave; Grupi teknik i punës, i ngritur me përfaqësues të KLGJ-së, të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në bashkëpunim me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtare; Euralius, USAID dhe Këshilli i Evropës, po vazhdon punën edhe me takime online, për hartimin e studimit të fisibilitetit, në lidhje me impaktin që do të ketë në të ardhmen, zbatimi i hartës së re gjyqësore.
Ky studim është aktualisht në diskutim dhe do të konsultohet midis palëve, pasi tashmë është dorëzuar një “raport studimi’ nga grupi i punës që e ka përgatitur dhe që më pas, do të jetë pjesë përbërëse e draft raportit të Hartës Gjyqësore”, thuhet në raport.
Ja propozimi i KLGJ për hartën e re gjyqësore
Por ajo që bie më shumë në sy në hartën e re që mbrohet me forcë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe që është publikuar edhe pak ditë më parë nga gazeta, është fakti që së shpejti do të kemi vetëm një Gjykatë Apeli. Procesi i vetingut më së shumti ka goditur gjykatat e Apelit, pasi dhe numri më i madh i gjykatësve të pushuar i përkasin këtij institucioni.
Kështu në hartën e re Këshilli ka vendosur që nga 6 gjykata Apeli ekzistente, do të vazhdojë funksionin vetëm njëra prej tyre. Kjo bën që bashkë me reduktimet e lartpërmendura në total do të mbyllen 19 gjykata. Sipas Këshillit, me reduktimin e këtyre gjykatave do të eliminohen dhe pengesat e deritanishme që janë shfaqur nga gjykatat në vitin që lamë pas.
Sakaq, vlen të përmendet që me ekzistencën të vetëm një gjykate Apeli do të krijohen lodhje dhe zvarritje për qytetarët që do të kenë çështje për të zgjidhur nga ky institucion, pasi klientë nga qytete të ndryshme do duhet të shkojnë në Tiranë për një seancë gjyqësore.