Gjykata Kushtetuese do të jetë me 9 anëtarë kur të marrë vendimin për shkarkimin e presidentit. Gjykata e Lartë mbylli garën për 3 emrat që i takojnë asaj dhe i dërgoi në KED.
Por kjo gjykatë momentalisht nuk bën dot emërimin, sepse ligji e përcakton që të ketë 10 anëtarë në momentin do të votohet për emrat që do të emërohen në Kushtetuese. KLGJ ka emëruar 9 emra deri më tani. Sipas burimeve, emri i fundit pritet të vijë nga jashtë sistemit dhe mësohet se arsyeja që ishte bllokuar deri më tani procesi është sepse njëri prej kandidatëve të skualifkuar kishte ankimuar vendimin.
Mësohet se kandidati, avokat A. Lleshaj ka ndjekur të gjithë rrugët gjyqësore, duke filluar nga Gjykata Administrative, në Gjykatën e Lartë dhe deri në Kushtetuese. Kjo e fundit së fundmi ka vendosur që të mos pranojë padinë e tij. Në këtë mënyrë KLGJ nuk ka asnjë pengesë të emërojë anëtarin e fundit dhe të plotësojë Gjykatën e Lartë me 10 anëtarë. Në këtë mënyrë është i mjaftueshëm kuorumi për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me 3 emrat e fundit.
Emrat që kanë në dorë fatin e presidentit
Gjykata Kushtetuese ka 7 anëtarë momentalisht, por Vitore Tusha është pa mandat dhe në momentin që do të emërohen 3 emrat e fundit, ajo largohet. Me emërimin e tyre prishen balancat në Kushtetuese. Presidenti ka disa emra që i ka mbështetur. Sonila Bejtja njihet për deklaratat në mbështetje të presidentit.
Meta po ashtu bëri luftë të fortë për Marsida Xhaferllarin. Por në momentin që do kemi 9 anëtarë, sado ndikim të ketë presidenti, nuk ndërhyn dot në vendim. Por kush janë emrat që kanë në dorë fatin e tij? Albert Demirneli dhe Alket Jaupi, kanë kandiduar për vendin vakant të krijuar nga largimi i Fatmir Hoxhës, ndërsa kandidatët Dhimitrula Spiro, Ervin Karamuço, Helena Papa, Sandër Beci, Vatë Staka dhe Zhaklina Peto kanë shfaqur interes për vendet vakante të krijuara nga largimi i gjyqtarëve Fatmir Hoxha dhe Vitore Tusha.
Vetëm njëri prej kandidatëve në listë, Saimir Visha, nuk e ka specifikuar për cilin nga vendet vakante aplikon. Nga emrat aplikantë, vihet re se ka emra të njohur, ku Saimir Visha është kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë. Visha është një ndër avokatët më të njohur në vend, jurist me përvojë të gjatë, njohës i çështjeve kushtetuese dhe mbështetës i reformës në drejtësi. Ervin Karamuço vjen nga radhët e pedagogëve.
Ai mban gradat profesor-doktor dhe jep mësim pranë Fakulteti Juridik në Tiranë. Karamuço ka përvojë të gjatë në botën akademike dhe ka bashkëpunuar në shumë projekte ndërkombëtare. Pra 9 emrat e mësipërm garojnë për 3 vakanca dhe 3 prej tyre do të kenë në dorë fatin e kreut të shtetit.
Ndërkohë mësohet se KED në shtator pritet të mbyllë procesin e verifikimit. Shumë institucioneve u janë dërguar kërkesa për informacion mbi secilin kandidat dhe më pas KED do të vendosë se kush kualifikohet dhe kush jo, për të shkuar te emrat finalë. Në fund lista i shkon Gjykatës së Lartë, e cila vendos se kë do të emërojë për 3 vakancat.