Deputeti i zgjedhur i PD-së Tritan Shehu mendon se Sali Berisha ka legjitimitetin për të qenë pjesë e Parlamentit të ri në shtator.
I pyetur a duhet të jetë Berisha pjesë e Parlamentit në rubrikën “Opinion” në “News24” Shehu u përgjigj:
“Këtë diskutim s’e bëjmë për një sekondë. Unë kam shprehur konsideratat e mia për Berishën. Ai e ka legjitimitetin nga vota e shqiptarëve për të qenë pjesë e Parlamentit dhe e PD”.
Kujtojmë se më herët ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se askush nuk e ndalon atë që të jetë në parlamentin e ardhshëm.
Gjithashtu ai njoftoi se ka dorëzuar dhe padinë e tij ndaj sekretarit të shtetit amerikan Anthony Blinken pas shpalljes non-grata nga amerikanët.
Ndërkaq ambasadorja amerikane Yuri Kim gjatë një takimi me kryedemokratin Lulzim Basha, i kërkoi këtij të fundit që Berisha të mos jetë pjesë e Parlamentit të ri.