Që pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të 25 Prillit dhe pranimit të humbjes, Monika Kryemadhi është “zhdukur” nga skena politike.
Shfaqja e saj e vetme ka qenë në një event me Presidentin Ilir Meta, si zonjë e parë dhe përndryshe askush nuk e ka parë dhe nuk e ka dëgjuar.
A do të thotë kjo “zhdukje” se Kryemadhi po përgatitet të largohet nga politika, pasi tashmë as parti nuk i ka mbetur?
Nëse bëjmë një retrospektivë, Kryemadhi disa herë është deklaruar se do të largohet apo do të dorëhiqet, nëse dështon, megjithëse deri më tani nuk ka bërë çfarë ka premtuar
Në shkurt të viti 2019, Opozita me në krye Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin dogjën mandatet dhe u larguan nga Kuvendi.
Djegies së mandateve i paraprinë protestat dhe në atë kohë drejtuesit e Opozitës ishin të bindur se kryeministrit Edi Rama dhe pushtetit të tij i dhanë fund.
Madje kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ka qenë mjaft e zëshme në protesta, bëri dhe një deklaratë që shkaktoi shumë bujë në atë kohë.
Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Kryemadhi tha. se ishte e gatshme të largohej nga politika, nëse Kryeministri Rama ishte në gjendje të mblidhte po aq njerëz sa opozita, që mblodhi më 16 Shkurt.
Sipas saj, fenomenit Edi Rama i kishte ardhur fundi.
“Fenomeni Edi Rama duhet të mbarojë tashmë, jo vetëm për Ramën, por për këdo tjetër që kërkon të ndërtojë një institucion të liderit të fortë. Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë, ka nevojë për shtet të fortë dhe institucione të forta”, deklaronte Kryemadhi në ‘Opinionin” e 7 Marsit 2019. Pra, pak kohë pasi i kishin djegur mandatet.
Po çfarë ndodhi?
Në gjithë atë entuziazëm opozitar, me argumentin se kishin rrëzuar Ramën, u shpallën zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, të cilat kaluan pa probleme.
Rama mori të gjithë pushtetin vendor në duar dhe opozitarët mbetën aty ku ishin.
Të dalë jashtë loje, Opozita nisi të bënte politikë në distancë, sërish me moton se Ramës i kishte ardhur fundi.
Por, Rama sërish ishte në pushtet, dhe në Shtator të vitit 2020, u shpall edhe data për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, 25 Prill 2021, në të cilat Opozita mori pjesë dhe humbi suksesshëm.
Dështimi i radhëscna lajme politike
Kryemadhi që deklaronte se Rama nuk do të mblidhte kurrë aq njerëz sa kishte opozita në protestën e 16 Shkurtit 2019, gati sa nuk mbeti jashtë Kuvendit, ndërsa partia e saj, u shpërbë.
Por, Kryemadhi nuk u largua nga politika siç deklaronte në vitin 2019. Madje në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit, duke harruar se ç’kishte thënë më herët, përmendi sërish dorëheqje.
Në një emision televiziv, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi fillimisht ka deklaruar se do të jepte dorëheqjen nëse humbte dhe në pak minuta është kthjelluar, duke kundërshtuar atë çfarë kishte thënë më herët.
“Me një mandat më pak se ata që dogjën. Nëse unë marr 19 mandate, atëherë e quaj dështim. Dorëheqja nuk jepet vetëm për dështime, por edhe kur realizon gjëra shumë të mira, dhe ia jep shansin të tjerëve për të ecur përpara. Voto LSI që të ketë dorëheqje, voto LSI që Monika Kryemadhi të japë dorëheqjen’, ka deklaruar ajo.
Kujtojmë se Kryemadhi përfundoi vetëm me 4 mandate deputetësh, nga 19 mandate që kishte dhe i dogji dhe të paktën ligjërisht Monika Kryemadhi është ende në krye të LSI-së.