Shpërthen skandali me grumbullimet e borxheve nga bankat, kompanitë e mikrokredive dhe ato celulare. Këto institucion nuk ndjekin rrugët ligjore kur qytetarët kanë borxhe ndaj tyre, por kontaktojnë kompani fantazëm që iu bëjnë presion dhe shantazh individëve të ndryshëm që janë debitorë por edhe persona që nuk kanë asnjë lidhje me debitortin por vetëm se mbajnë të njenjtin mbiemër.
Një ndër kompanitë është “Tranzit Sh.p.k”, e cila është kthyer në makth për qytetarët. Kjo kompani kontaktohet kryesisht nga bankat dhe kompanitë celulare dhe nuk ndjek rrugët ligjor për të mbledhur borxhet, por iu bën presion qytetarëve. Për këtë arsye dje ka reaguar, Dhoma e Përmbaruesve Gjyqësorë.
Kjo e fundit ka dalë me një deklaratë urgjente, duke bërë thirrje se qytetarët po mashtrohen. Sipas Dhomës së Përmbaruesve, mbledhja e borxheve përmes mashtrimit dhe shantazhit është një fenomen shumë i rëndë që po përhapet me shpejtësi në shoqërinë tonë. Mes të tjerash, në deklaratë thuhet se me qindra qytetarë kanë marrë shkresa, ku në emër të ligjit shantazhohen me njoftime apo lajmërime me karakter mashtrues si është titulli. “Stop mbledhjes së borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit!
Përmes kësaj komunikate, kërkojmë të tërheqim vëmendjen e publikut, mediave dhe të gjitha organeve ligjzbatuese në vend, mbi një fenomen shumë të rëndë që është përhapur dhe po rritet me shpejtësi në shoqërinë shqiptare: “Mbledhja e borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”.
Qytetarë në masë kanë marrë telefonata që u kërkojnë shlyerje kredish të vjetra bankare, detyrime të kompanive telefonike, apo të institucioneve të mikrokredisë. Telefonata u është shfaqur në numrin personal; në celularët e familjarëve, pa dallim- të moshuar apo të mitur, në qendrën e punës, në rrethin shoqëror dhe farefisnor, telefonata i ka përndjekur në WhatsApp deri dhe jashtë shtetit”, thuhet në njoftim.
Dhoma e Përmbarimit ultimatum kompanive të tërhiqen
Me tej dhe të ndodhur përpara kësaj situate të paprecedentë, Dhoma e Përmbarimit iu ka dërguar ultimatum kompanive që mbledhin borxhet për bankat dhe kompaninë celulare që të tërhiqen nga mesazhet dhe telefonatat shantazhuese që bëjnë ndaj qytetarëve. Sipas DHP, çdo qytetarë që është vënë në vështirësi nga këto kompani apo do të kontaktohen në të ardhmen të denoncojë pranë Dhomës së Përmbarimit.
“U bëjmë thirrje, kompanive “borxhmbledhëse” që të ndalojnë menjëherë mashtrimin e qytetarëve me shkresa, praktika dhe telefonata që imitojnë dhe përvetësojnë titullin e përmbaruesit gjyqësor. Të ndalojnë sot, pasi nesër do të jetë qytetari bashkë me përmbaruesin, të cilët do të gjejnë zyrat pa adresa të këtyre kompanive, nga ku do të denoncojnë ligjërisht dhe publikisht, të gjithë ata që do të guxojnë të vazhdojnë këtë veprimtari që vjedh dhe mashtron publikun.
Çdo qytetar që është vënë apo vihet në kontakt telefonik apo shkresor sipas të dhënave të përshkruara në këtë komunikatë, të njoftojë menjëherë në adresën [email protected], pa u kufizuar në denoncimin pranë Policisë së Shtetit ose Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor ku banon”, thuhet në njoftimin e Dhomës së Përmbarimit.