Gjykata Kushtetuese pritet që në dy javët e para të shtatorit të dalë me një vendim sa i takon procedurave që do të ndiqen për shkarkimin e presidentit.
Kuvendi më 14 qershor dorëzoi në Kushtetuese vendimin e shkarkimit të presidentit dhe sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese, brenda 3 muajve kjo gjykatë duhet të mbyllë shqyrtimin e dosjes dhe të vendose nëse do kalojë për shqyrtim dhe nëse po të përcaktojë një datë për vijimin e procesit.
Kjo do të thotë se brenda 14 shtatorit relatori i çështjes duhet të mbyllë shqyrtimin dhe ta kalojë për gjykim dosjen. “Gjykata Kushtetuese për kalimin e çështjes në seancë plenare vendos me shumicën e anëtarëve të saj. Në këtë rast zhvillohet seancë plenare publike.
Në seancën plenare ftohet të marrë pjesë Presidenti i Republikës, i cili mund të përfaqësohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij, si edhe Kuvendi. Gjykata Kushtetuese, sipas rastit, vendos të thërrasë edhe persona të tjerë në gjykim.
Mungesa në seancën plenare e Presidentit të Republikës ose e përfaqësuesit të tij pa arsye nuk përbën shkak për moszhvillimin e gjykimit”, thuhet në ligj. Ndërkohë po sipas ligjit duhet të caktohet dhe data e seancës së parë. Kjo datë duhet të komunikohet një muaj para mbajtjes së saj.
“Njoftimi për orën dhe datën e zhvillimit të seancës plenare, publike ose mbi bazë të dokumenteve, bëhet nga Drejtoria Gjyqësore, si rregull, 30 ditë para datës së caktuar për zhvillimin e seancës plenare, me përjashtim të rasteve kur Gjykata Kushtetuese vendos ndryshe”, thuhet në ligj.
Vendimi i Kushtetueses
Në nenin 63 përcaktohet dhe se çfarë ndodh nëse presidenti gjendet me shkelje. “Sipas këtij neni, kur Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën ose ka kryer një krim të rëndë, deklaron shkarkimin e tij nga detyra. Në këtë rast vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyn në fuqi ditën e shpalljes dhe publikohet menjëherë në
Fletoren Zyrtare”, thuhet në ligj. Kur Gjykata Kushtetuese nuk arrin në përfundimin se Presidenti i Republikës ka shkelur rëndë Kushtetutën ose ka kryer një krim të rëndë, ajo vendos shfuqizimin e vendimit të Kuvendit. Sipas ligjit dorëheqja e Presidentit të Republikës nga detyra ose përfundimi i mandatit të tij, pas fillimit të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të çështjes. Kur vendoset deklarimi i shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës, ai nuk përfiton trajtimet e veçanta të parashikuara për funksionarët e lartë. Pra duket se vjeshta do të jetë shumë e ngarkuar për presidentin, fati i së cilit tashmë është në duart e Kushtetueses.