Për analistin Frrok Çupi, “Ballkani i Hapur” nuk do të sjellë ndonjë të keqe shtesë, as për Kosovën as për vendet e tjera. Sipas tij, bashkëpunime mes vendeve të Ballkanit ka pasur me kohë, veçse më parë e deri më tani bëheshin të fshehta. Për një gjë të tillë ai akuzon edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Çupi ka deklaruar dje, se që në vitet ’94 Berisha bashkëpunonte me presidentin serb për punët e tij të pista në mënyrë të fshehur, ndërsa nga ana tjetër bënte sikur mbështeste Amerikën.
Sipas Frrokut, Berisha ka qenë bashkëpunëtori i parë në masakrat që ka bërë ushtria serbe ndaj Kosovës. “Gjatë gjithë jetës, natë e ditë, shqiptarët kanë bashkëpunuar ‘gjatë natës’ me serbët; por në mëngjes kanë dalë të larë. Me Serbinë janë bërë punë të fshehta, të fshehta edhe para gjithë botës.
A ju kujtohet viti 1994? Atëherë Amerika dhe OKB morën vendim që të “fiket” makina e hekurt e Millosheviçit, që po copëtonte shqiptarët e Kosovës e madje edhe vetë serbët. Por, shqiptarët e nivelit më të lartë u takuan natën; presidenti Berisha dhe presidenti Bullatovic nuk besonin se do të zbuloheshin.
Këta hapën natën rubinetet e naftës, thyen embargon ndërkombëtare, nisën trafikun e armëve edhe për ushtrinë serbe, bënë pisllëqet e mëdha kundër jetës së njeriut dhe paqes botërore”, tha ai. Prandaj, Çupi deklaroi se Ballkani i Hapur nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të nxjerrë sheshit bashkëpunimet e pista që bëhen nga zyrtarët e lartë shtetërore nga të gjitha vendet fqinje.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse shumë prej tyre e kundërshtojnë, sepse ndihen të frikësuar. “Të gjitha janë bërë, por fshehurazi, në errësirë. Ballkani i hapur do të thotë që këta monstra të mos e kenë fuqinë e lakuriqit të natës. Por edhe një mrekulli tjetër sjell mëngjesi i Ballkanit të Hapur. Të fshehtat që u kryen natën në Urën mbi jetë njerëzish, tani të dalin hapur.
Sa frikë kanë, o zot. Njësoj si tua kesh zbuluar klubin e errët ku kanë pirë gjithë natën. Nëse Ballkani do të bëhej i hapur, atëherë ku do të qëndronte fuqia e këtyre liderëve?! Këta nuk do të kishin më asnjë pikë force që t’i suleshin Serbisë, asnjë pikë force që t’i suleshin Shqipërisë, asnjë kapacitet që të mashtronin gjithë ditën e të bënin plane natën”, deklaroi ai.