Rey Manaj me skuadrën e parë të Barcelonës. Ajo që pak kohë më parë konsiderohej pothuajse e paimagjinueshme tanimë është një realitet. Pavarësisht vështirësive ekonomike me të cilat po përballet, Barca mbetet një klub gjigant,dhe Manaj tanimë është edhe zyrtarisht pjesë e skuadrës së parë dhe me të gjitha letrat në rregull për të luajtur në La Liga.
Ishte vetë klubi blaugrana që nëpërmjet një komunikimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetet sociale, bëri të ditur se Memphis Deepay, Eric Garcia dhe Rey Manaj janë federuar në listën e lojtarëve për La Ligan. Një arritje vërtet e madhe kjo për sulmuesin lushnjar, i cili nga janari i 2020 ishte pjesë e Barcelonës B dhe këtë verë ju dha shansi për të luajtur disa miqësore me skuadrën e parë të blaugranave.
Një mundësi e shfrytëzuar më së miri nga Manaj, që bëri atë që i kërkohet një bomberi, golat ku në muajin korrik shënoi 3 herën para syve të Koeman dhe Presidetit Laporta në testin me Gimnastik Tarragona, ndërsa më pas gjeti rrjetën edhe në suksesin 3-1 ndaj Girona-s. Paraqitje që nuk janë kaluar në indiferentizëm nga stafi teknik dhe drejtuesit, dhe shpërblimi është pikërisht ky federim që vjen si një mundësi e artë për sulmuesin e kombëtares shqiptare.
Jo rastësisht te Barça kanë zgjedhur Manajn për të federuar përkrah dy blerjeve të kësaj vere, Deepay dhe Eric Garcia, një provë besimi kjo për shqiptarin, që është ndihmuar natyrisht edhe nga situata specifike që kalon Barcelona. Në vështirësi serioze për te federuar lojtarë pasi i duhet të ulë zërin e pagave, federimi i Manajt dhe dy afrimeve të verës, është mundur të realizohet pikërisht në sajë të një sakrifice të Gerard Pique, i cili ka pranuar një ulje të ndjeshme të pagës së tij, në mënyrë që klubi të ketë mundësi të kryejë regjistrimet e lojtarëve.